Qëlloi me kallash nga kati i pestë, momenti kur policia bastis shtëpinë e të moshuarit në Shkodër

Ky është momenti kur oficerët e policisë hapin me forcë derën e shtëpisë së Fasli Hykës, 83-vjeçarit i cili mesnatën e shkuar terrorizoi banorët e lagjes “Partizani” në Shkodër. I moshuari, pasi hapi zjarr nga kati i pestë i pallatit ku jetonte me kallashnikov, jo vetëm që i rezistoi arrestimit, por kërcënoi me jetë edhe efektivët.

Gjithçka nisi rreth mesnatës, kur Hyka dyshohet se i shqetësuar nga muzika nga një lokal poshtë shtëpisë së tij, mori kallashnikovin dhe nisi të qëllonte nga ballkoni. Nga plumbat fatmirësisht nuk pati të lënduar.

“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë konstatuar në mesnatë, se një shtetas po qëllonte me armë gjahu, nga ballkoni i banesës së tij në një pallat në lagjen “Partizani”, në drejtim të automjeteve të parkuara. Menjëherë u organizua puna, u bë rrethimi i zonës për të mos kaluar automjete dhe këmbësorë, si dhe iu bë thirrje autorit, të mos qëllonte dhe të dorëzohej. Autori nuk iu është bindur thirrjeve të Policisë, por është futur në banesë, ka mbyllur derën dhe ka kërcënuar për vrasje, punonjësit e Policisë, në rast se do të futeshin në banesë”, tha policia në një njoftim për mediat.

Po sipas njoftimit, “ndodhur në këto kushte, në ndihmë të policisë vendore, kanë shkuar Forcat Kombëtare të Sigurisë. Pas ndërhyrjes së specializuar kanë bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të Fasli Hykës 83 vjeç, banues në Shkodër. Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak”.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com