Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka kërcënuar shtetet Perëndimore me një luftë bërthamore nëse dërgojnë ushtarë në Ukrainë.
Ky paralajmërim vjen pasi Franca sugjeroi dërgimin e trupave tokësore të NATO-s në Ukrainë, që në fakt u refuzua menjëherë nga SHBA, Britania, Gjermania dhe vende të tjera të aleancës.
Duke ju drejtuar anëtarëve të Parlamentit të vendit të tij, Presidenti Putin tha se dërgimi i trupave të NATO-s në Ukrainë do të ishte shkatërrimtar dhe bëri thirrje që Perëndimi të mos përfshihet në punët e brendshme të Rusisë.
“Shtetet Perëndimore duhet të kuptojnë se edhe ne kemi armë që mund të godasin objektivat në territorin e tyre. E gjithë kjo kërcënon realisht në një konflikt për përdorimin e armëve bërthamore dhe shkatërrimin e qytetërimit. Nuk e kuptojnë ata këtë?”, u shpreh Putin.
Përpara zgjedhjeve presidenciale të 15-17 Marsit në Rusi, Presidenti rus deklaroi se Rusia ka një arsenal bërthamor të modernizuar dhe më të madhin në botë.
Putin u sugjeroi vendeve Perëndimore që të kujtojnë fatin e Hitlerit të Gjermanisë naziste të asaj kohe dhe të Napoleon Bonapartit të Francës që tentuan pa sukses të pushtonin Rusinë në të kaluarën.
“Tani pasojat do të jenë shumë më tragjike. Ata mendojnë se lufta është film vizatimor”, shtoi Putin.
Agresioni ushtarak ndaj Ukrainës ka shkaktuar përçarjen më të madhe mes Rusisë dhe Perëndimit që nga viti 1962.
/f.s