Si u korruptua ish-kryeministri Sali Berisha nga dhëndëri i tij Jamarbër Malltezi? Për të ngritur një akuzë të tillë, SPAK ka kryer një hetim financiar duke gjurmuar çdo të ardhur të Malltezit, të Argita Berishës dhe çdo anëtari të familjes të lidhur me ta.
Ashtu si organet e vettingut që kanë administruar qindra raporte vetdeklaratash pranë ILDKPI për njerëzit e drejtësisë, edhe për Berishën SPAK i ka përdorur kundër deklaratat periodike të dorëzuara prej tij në cilësinë e deputetit prej kohës kur ka nisur vetdeklarimi i pasurive.
Duke nisur nga borxhet që ish-kryeministri ka pohuar se i detyrohej dhëndrit të tilla si 15 mijë euro për shërbime konsulence dhe 19 mijë euro shërbime avokatore në Francë mbi çështjen Antony Blinken.
Por edhe pagesa të tjera të depozituara në rrugë bankare nga e bija, ku përfshihen shërbimet mjekësore prej 13 mijë euro, por edhe pushimet vjetor të çiftit Sali dhe Liri Berisha prej 3 mijë eurosh, paguar nga Malltezi e deklaruar nga çifti Berisha. Si edhe 126 mijë dollarë dhe 413 mijë euro shpenzime për të likuiduar një studio ligjore.
SPAK thotë se familja Berisha ka aksesuar dhe përfituar nga të ardhurat e familjes Malltezi duke kryer shpenzime të ndryshme që nuk mund të mbulohen nga të ardhurat e vajzës. Por për të dalë në këtë përfundim dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai kanë gjurmuar të ardhurat e çiftit Malltezi, që prej kohës kur ata punonin në Kosovë dhe kur më pas u zhvendosën në Shqipëri.
Kjo gjë ndodhi sipas SPAK në kohën kur Sali Berisha mori detyrën e kryeministrit dhe kur pesë familje pronare, ku përfshihej edhe Malltezi u favorizuan sipas SPAK për marrjen e pronës, e cila u hoq nga kategoria e pronave të Ministrisë së Mbrojtjes.
Por mbetet e paqartë se përse nuk është ngritur akuzë edhe ndaj ish-funksionarëve të tjerë, apo nëpunës të thjeshtë që përmenden se shkelën ligjin duke vepruar në kundërshtim me të ligjit.
SPAK thotë mes të tjerash se ministri i kohës Gazmend Oketa nënshkroi një auditim në formë presioni ndaj komandës mbështetëse, që refuzonte klubin e futbollit Partizani. Por ndonëse konstaton një fakt të tillë, në fashikull nuk rezulton që pozita e ish-funksionarit të jetë në vështirësi.
Po ashtu as ish-presidenti Bamir Topi që dekretoi largimin e ish-komandantit duke dekretuar një tjetër gjeneral i cili kreu porosinë. As ish-ushtaraku nuk është në pozitë penale, sikundër edhe zyrtarë që SPAK përmend se vlerësuan nën kosto Klubit Shumësportësh Partizani dhe që sipas SPAK ju shkaktua shtetit një dëm prej 436 milionë lekë
Megjithatë hetimet nuk janë mbyllur ende. Sali Berisha thotë se SPAK, në cilësinë e kryeministrit të vendit dhe me detyrën për tu shërbyer qytetarëve ka zgjedhur tu japë ligjeve formën që i përshtatet interesave të familjes së tij, e cila ishte vënë në lëvizje nga Fatmir Bektashi i cili korruptoi Malltezin dhe ky i fundit vjehrrin. /TCH