Nga Ardit Bido
Për këdo që pyet pse Kryepeshkopi Anastas pranon e viziton vetëm të burgosurin Beleri dhe jo Dakon, Goron, Kokën e çdo politikan tjetër ortodoks që kalon të njëjtat vështirësi, ndoshta nuk e ka parë asnjëherë këtë dokument, pasaportën e tij diplomatike greke, që në fakt e ka vendosur vetë në databaza publike shqiptare, por që mediat nuk e kanë publikuar kurrë, edhe pse janë të gatshme të publikojnë çdo detaj të nacionalizmit politik grek.
Ligji 4781/2021 grek për pasaportat diplomatike, si dhe paraardhësi i tij, përcaktojnë në mënyrë të kufizuar pozicionet që më Greqi kanë të drejtë të marrin pasaportë diplomatike greke, ku në asnjë moment nuk përcaktohet kleri i Kishave jashtë Greqisë. Përjashtimin mund ta bëj vetëm ministri i Jashtëm grek, për personel diplomatik, ushtarak a të shërbimeve sekrete. Ndaj, me të drejtë lind pyetja si ai e ka këtë pasaportë?
Fakti që ai sot mban edhe pasaportën shqiptare, që nuk ia dha asnjë president ortodoks që ka pasur Shqipëria, por ia dha një bektashi, nuk ndryshon gjë. Ai, sipas enturazhit të vet, vijon përdor vetëm pasaportën diplomatike greke, duke thyer rekordin si diplomati më jetëgjatë grek në Shqipëri, teksa në ambasada e konsullata, mbajtësit e pasaportave diplomatike ikin e vijnë.
Kur Beleri, që dikur dilte krah më krah me kreun e Agimit të Artë në Greqi, na thotë se Kryepeshkopi Anastas ka punuar për minoritetin dhe i ka dhënë Belerit kurajo të tejkalojë sfidat e gjyqit për vjedhje votash, nuk kemi asnjë arsye të mos e besojmë. Fundja, a nuk është vetë kryepeshkopi Anastas i zgjedhur jashtligjshmërisht peshkop në Greqi nga një Sinod i Shenjtë i jashtligjshëm i instaluar nga Junga ushtarake e ekstremit të djathtë në fundvitet ‘60, i lënë pa asnjë peshkopatë deri në 1990 për shkak të zgjedhjes së jashtligjshme deri sa u katapultua në Tiranë me mbështetjen e disa politikanëve shqiptarë, kundër dëshirës së besimtarëve të këtushëm?
A nuk është ai që nuk ka thënë kurrë “ortodoks shqiptarë”, por ka folur për pakica e shumë etni në Kishën më homogjene, ku mbi 90% janë shqiptarë ortodoksë?
Të zgjedhurit e ekstremit sot u bënë bashkë!