Publikimi i përgjimeve të ushtrisë, ministri gjerman akuza Rusisë për destabilizim

“Presidenti rus Vladimir Putin po kërkon të mbjellë përçarje në Gjermani me publikimin e përgjimeve të një bisede konfidenciale të ushtrisë sonë mbi luftën në Ukrainë,” kështu u shpreh të dielën ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

“Incidenti është shumë më tepër se thjesht përgjimi dhe publikimi i një bisede në sektorin e forcave ajrore. Është pjesë e një lufte informacioni që Putin po e përdor. Nuk ka dyshim për këtë. Është një sulm hibrid që synon dezinformimin. Ka të bëjë me përçarjen dhe minimin e unitetit tonë. Në përputhje me rrethanat, duhet të reagojmë ndaj tij me maturi të veçantë dhe vendosmëri,” tha Pistorius, duke shtuar se shpresonte që Putini të mos arrinte të kishte sukses.

Pasi media shtetërore ruse publikoi bisedën e përgjuar të oficerëve të ushtrisë gjermane, edhe kancelari Olaf Sholc (o. Scholz) u detyrua të japë sqarime.

“Ajo që po raportohet është një çështje shumë serioze dhe për këtë arsye tani po hetohet me shumë kujdes dhe shumë intensivisht,” tha kancelari gjerman.

Të premten, mediet ruse publikuan një regjistrim prej 38 minutash, në të cilin dëgjohet një bisedë mes 4 oficerëve gjermanë.

Në material mund të dëgjohen diskutime për përdorimin e mundshëm të raketave të prodhimit gjerman “Taurus” nga forcat ukrainase ndaj një ure në Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Një ditë më parë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se kishin të bënin me bisedime konfidenciale të ushtrisë gjermane për luftën në Ukrainë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com