Pse nuk e nënshkrova peticionin e intelektualëve, kundër sharlatanëve në TV

Nga Ardian Vehbiu

Për peticionin drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit, Agjencisë për Media dhe Informim, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) po bëhet jo vetëm shumë zhurmë, por edhe jo zhurma e duhur. Një grup nga elita intelektuale, por që nuk e kam shumë të qartë se nga kush dhe si dhe me iniciativë të kujt janë përzgjedhur, kërkojnë ndërhyrjen e autoritetit publik, për të frenuar promovimin e gjepurave në media, veçanërisht në televizion, kryesisht lidhur me narrativën e prejardhjes së gjuhës dhe të popullit shqiptar. Problemi është real, dhe kujdesi për çfarë i jep mass media publikut është prerogativë e institucioneve të peticionuara, të cilave, me sa kuptoj, thjesht po u kërkohet të bëjnë punën ose të zbatojnë ligjin (që është edhe arsyeja për çfarë ekzistojnë dhe mirëmbahen).

Mua më ftuan të nënshkruaj, por m’u desh të refuzoj. Sepse nuk besoj në peticionet, dhe aq më pak në peticionet « intelektuale ». Intelektuali i ka mundësitë, madje edhe detyrën, të artikulojë qëndrimin e vet individualisht në publik. Një gjë që thotë intelektuali A nuk është se fiton në peshë dhe në argument, nëse e thotë bashkë me intelektualin B. Prandaj peticioni është në thelb një gjest, një performativ, në një kohë kur kjo praktikë – e gjestit – po e varfëron shumë jetën publike. Shumë emra që i janë bashkuar peticionit unë nuk i njoh, dhe nuk besoj se kanë dhënë ndonjë kontribut në shëndetin e ligjërimit publik. Përkundrazi, janë emra që sapo janë bërë emra, pikërisht ngaqë kanë nënshkruar.

Një arsye pse nuk nënshkrova, është se peticioni bëhet për një çështje të cilën unë kam të paktën njëzet vjet që shkruaj – me artikuj dhe ese të botuara në shtyp dhe në revistën Peizazhe të fjalës. Vitin e fundit, me mbështetjen edhe të fondacionit « Fan Noli », kam botuar mbi 30 ese dhe artikuj ku e shqyrtoj fenomenin nga shumë anë. Madje jo vetëm kaq : gjatë mbledhjes së asamblesë së Akademisë së Shkencave para gati tre vjetësh, kur u pranova zyrtarisht si anëtar i jashtëm, në fjalën time të përshëndetjes u përqendrova pikërisht te nevoja e ngutshme për të kundërshtuar përmbytjen e opinionit publik nga pseudo-dija. U bëra thirrje kolegëve që të angazhoheshim – jo me peticione – për t’ia prezantuar dijen shqipe publikut në mënyrë moderne, bashkëkohore. Nuk di sa më dëgjuan.

Një arsye e tretë, është se peticionet i vënë të gjithë nënshkruesit në një rrafsh, i shkrijnë në një entitet kolektiv, në një formacion gati ushtarak – njëra firmë vlen sa firma tjetër. Thirrja ime ose jotja (Ilir Yzeiri) ose e Bardhyl Demirajt vlen aq sa firma e Selim Selimit – gjë që nuk më duket e drejtë. Ka njerëz që kanë paguar kosto të lartë edhe personale, ngaqë u janë vënë pseudologëve ; dhe kjo sepse kanë dalë ballazi, në mbrojtje të dijes dhe të traditës albanologjike në botën shqiptare. Ti ke paguar, Ilir ; unë kam paguar ; Anila Omari ka paguar. Tani së fundi Eda Derhemit, profesore në Champlain Univ., Illinois dhe njeri i angazhuar fort me albanologjinë, nuk i lanë kusur në Facebook. Pa u bërë ky diferencim, peticioni mbetet gjest teatral, në mos qoftë një përpjekje për ta kontrolluar debatin. Akademia e Shkencave është lajmëruar prej kohësh për rrezikun e këtij fenomeni – ka zgjedhur të heshtë. Edhe kur kanë dalë turbologët dhe kanë protestuar kundër Çabejt, duke e cilësuar këtë tradhtar!

Një arsye e katërt, me rëndësi për mua, është se peticioni krijon përshtypjen, sikur ekzistojnë dy kampe – ai i dijes dhe ai i pseudo-dijes me indiferentët në mes; dhe fton publikun që të reflektojë. Por unë mendoj se ekzistojnë të paktën tre kampe : ai i dijes, ai i pseudo-dijes, dhe ai i ideologëve kombëtaristë, që shpesh janë protagonistë në ligjërimin publik. Këta ideologë janë njerëz përgjithësisht të zotët, ekspertë, të përgatitur mirë, por që kanë për emërues të përbashkët besimin se çështja kombëtare e lejon shtrembërimin e dijes. Ndonjëherë mendoj se këta njerëz ia helmojnë mendjet publikut më keq edhe se pseudologët. Ja si shkruante njëri prej tyre, në kontekstin e debateve të tanishme rreth peticionit:

“Lërini joakademikët të kumtojnë idetë e tyre qofshin ato edhe pak ekstremiste. Në shumë raste ata përbejnë armën më efikase për të asgjësuar propagandën agresive të qarqeve antishqiptare e cila historikisht i ka kaluar kufijtë e absurdit. Plumbi nxirret me plumb”.

Do të thoja se “qarqet antishqiptare” ose nuk ua varin fare turbologëve, ose i shfrytëzojnë për t’u riprodhuar. Asnjë meritë nuk kanë këta pseudo, që sjellin në ekrane dhe në librari teoritë e tyre të çuditshme, me efekte shpesh komike, dhe gjithsesi të pambrojtshme – madje janë prova më e mirë se kultura shqip nuk arrin dot të artikulohet në nivelin akademik dhe mund të prodhojë vetëm ligjërim folklorik, të denjë për ndonjë muze të papjekurisë intelektuale ballkanike.

Për fat të keq, çfarë duhet të ishte pjesë e një debati për të çuar drejt së vërtetës, nëpërmjet argumentit dhe kundër-argumentit, tek ne shpesh njëjtësohet me përplasjen « politike », të tillë si ajo që ndodh në parlament në Tiranë, ku i duhet siguruar fitorja palës « sonë ». Ndarjen mes së vërtetës dhe së pavërtetës, e zëvendëson ndarja mes NE dhe JU, me rezultate të vajtueshme (e vërteta jonë dhe e vërteta juaj, ose relativizimi total i së vërtetës); duke e shndërruar dijen në patericë të konflikteve ndëretnike, reale dhe imagjinare. Në fakt, e kam thënë edhe më përpara, shërbimin më të madh armiqve të çështjes shqiptare ua sjellin pikërisht turbologët dhe apologjetët e tyre, të cilët po i stërvitin mendjet e njerëzve me bindje të tilla, që ta paralizojnë çdo lloj komunikimi mes « tanëve » dhe « të tjerëve » dhe njëherazi të narkotizojnë mendimin kritik te subjekti shqiptar i ligjërimit.

Qasjen e tyre ndaj raportit mes dijes dhe ideologjisë e gjen sot kudo – në ligjërimin zyrtar, në tekstet shkollore, në fjalën dhe veprën e atyre që mbase mirëfilli kujtojnë se po i shërbejnë kombit dhe çështjes kombëtare, madje edhe po flijohen për të. Për mua, pseudologët – objekt i peticionit – nuk do të kishin pasur jehonën që kanë, pa ndërmjetësimin e kësaj pale të tretë. Ndryshe nga pseudologët, ideologët kombëtaristë dhe demagogët që ndonjëherë u bashkëngjiten u rrinë larg absurditeteve, por njëlloj lejojnë të pavërteta të hyjnë në dije, me pretekstin se po i shërbejnë kombit. Por disa prej tyre duan tani të ruajnë monopolin në ligjërimin kombëtarist – të cilin njëlloj ua rrezikojnë turbologët; disa të tjerë i janë dorëzuar prej kohësh kitsch-it.

Nga ana tjetër, unë besoj se pseudo-albanologjia që ka marrë hov sot ka qenë gjithnjë pjesë e diskursit kombëtarist, që në kohën kur këtë e nisën arbëreshët – e nxitur nga dëshira për të rrëfyer çfarë ka unike te shqiptarët dhe shqipja. Gjuhësia historike-krahasuese, si dije solide, erdhi relativisht vonë në kulturën shqiptare, me brezin e Çabejt; përndryshe, rolin e dijes historike deri atëherë e kishin luajtur rrëfimet dhe legjendat mitologjike të prejardhjes të kombinuara me përshkrimet folklorike. Gjithsesi, sot kjo ringjallje e mendimit «alternativ» më lidhet edhe me dobësimin e institucioneve të dijes dhe të arsimit, rënien e prestigjit të autoritetit dhe të respektit për mësuesin; siç më lidhet, nga një pikëpamje tjetër, me kontaktin masiv të shqiptarëve me të huajën, pas 1990-ës. Kam vënë re që disa nga etimologët amatorë, të cilët kanë mbytur ekranet, vijnë nga eksperienca kontakti me gjuhët fqinje – italishten, greqishten. Shpjegimi etimologjik është një mënyrë për të kapërcyer ndjesinë e inferioritetit që buron prej këtij kontakti. Paralelisht, ka një zgjim interesi popullor për çështje të identitetit, të prejardhjes dhe të autoktonisë, veçanërisht në diasporë dhe në Kosovë. Por asnjë nga këto nuk do të ndodhte, po të mos kish gjetur terren pjellor, në oralitetin që vazhdon të bëjë ligjin, në mendësinë tonë kolektive.

Oraliteti nuk e pranon dyshimin, as testimin e hipotezës; preferon narrativën ndaj argumentit ; shamanin dhe ideologun ndaj dijetarit ; të tashmen e përhershme ndaj rrjedhës së kohës ; statikën dhe përsëritjen, ndaj dinamikës dhe ndryshimit. Ligjërimi i arsyetuar humb terren, përballë gjestit dhe performativit. Suksesi i madh i turbologëve sot më duket i krahasueshëm me katastrofën e piramidave financiare në vitet 1990, që edhe atë e shkaktoi besimi dhe përbuzja e dyshimit. Këtë e kanë kuptuar mirë disa entertainers, në mass mediat – nuk dua t’i quaj gazetarë – që u japin hapësirë përtej çdo logjike absurditeteve në emisionet e tyre, sepse e dinë që do të fitojnë publik. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për turbologët dhe pseudo-etimologët; sepse janë edhe fallxhorët, astrologët, konspiracistët, njerëz që hedhin poshtë mjekësinë, farmakologjinë, vaksinat ; që shpjegojnë kush e udhëheq botën ; që parashikojnë tërmetet dhe kometat dhe kushedi çfarë tjetër. Një masë e larmishme njerëzish, që i bashkon vetëm kundërvënia ndaj dijes, shkencës dhe arsyes, në emër të kundërvënies ndaj autoritetit. Nuk ka profession libre, që të mos vihet në dyshim: gjykatësi, mjeku, eksperti: shoqëria u është kthyer gjithë mllef më të mirëve të vet: një farë seleksioni negativ.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com