Nga Prof. Marenglen Kasmi
Antifashizmi mbetet pa dyshim një nga vlerat më të spikatura të historisë moderne që bashkoi shumë popuj, madje edhe ideologji diametralisht të kundërta, për t’iu kundërvënë rrezikut më të madh të shekullit XX, siç ishte Nazizmi dhe Fashizmi.
Gjatë Luftës së Ftohtë koncepti i antifashizmit u ridimensionua, por nuk u vendos asnjëherë në dyshim. Ndryshe ndodhi pas përfundimit të saj, kur në disa vende ish-komuniste, si edhe në Shqipëri, po diskutohet për vlerat e antifashizmit, duke synuar rehabilitimin politik dhe historik të bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe nazizmit. Koncepti i bashkëpunimit me pushtuesit nazifashistë është thjeshtuar, duke e justifikuar atë si fenomen kryesisht me qëndrimin dhe prirjet antikomuniste si edhe me nacionalizmin, ndërkohë që shpjegimi i këtij fenomeni kërkon një trajtim më të thelluar historik.
Së pari, duhen vlerësuar arsyet, shkaqet dhe pasojat që pati ky veprim për popullin shqiptar. Në periudhën 1939-1944, në Shqipëri si edhe gjetkë në vendet e pushtuara u shfaqën disa kategori bashkëpunimi me pushtuesit. Le të ndalemi te dy më kryesoret:
Kategoria e parë ishte ajo pjesë e shqiptarëve, e cila e mirëpriti pushtuesit e huaj, duke u bërë pjesë e strukturave qeverisëse të vendit që u krijuan nën diktatin e tyre. Këtu, duhet të bëjmë një diferencim ndërmjet pushtimit italian dhe atij gjerman. Nëse politika pushtuese italiane u shoqërua me ideologjinë fashiste dhe fashistizimin e vendit, çka u konkretizua me formimin e Partisë Fashiste Shqiptare, pushtimi gjerman i Shqipërisë kishte karakter ushtarak, por jo ideologjik.
Kategoria e dytë përbëhej nga grupimet politike dhe fisnore, të përfaqësuara kryesisht nga Balli Kombëtar dhe disi më pak, Legaliteti. Sikurse dihet, Balli Kombëtar qysh me krijimin e tij e deri në fundin e veprimtarisë së tij politike, përfshi edhe periudhën e pasluftës, kur veproi në emigracion, nuk arriti asnjëherë të kristalizonte një qëndrim të unifikuar politik, por u karakterizua nga mosmarrëveshjet brenda tij, të cilat reflektonin ndjeshëm në politikën e kësaj organizate. Kjo u shpreh qartë që gjatë luftës, kur grupi i të moderuarve nuk arriti dot asnjëherë të dominojnë në frymën e përgjithshme të organizatës, e cila nën drejtimin e Mit’hat Frashërit ishte për bashkëpunimin me gjermanët, ndonëse fillimisht bashkëpunimi fshihej nën petkun e neutralitetit. Sigurisht që ky veprim nuk motivohej nga ndonjë ideologji e caktuar, por bazohej mbi një oportunizëm të theksuar politik.
Është krejt e natyrshme që si Partia Komuniste ashtu edhe Balli Kombëtar, sikurse ndodh edhe sot në jetën politike, aspironin për të ardhur në pushtet. Ajo çka i dallon ato nga njëra-tjetra është rruga që ndoqën në zbatimin e programit të tyre. Nëse Partia Komuniste e shikonte antifashizmin, pra luftën kundër pushtuesit si detyrën më emergjente dhe pas çlirimit të vendit të aspironte për pushtetin, Balli Kombëtar ndoqi një politikë tjetër, atë të bashkëpunimit me pushtuesin, me qëllim asgjësimin e PKSH nga ushtria gjermane dhe shndërrimin e Ballit Kombëtar në një faktor të vetëm politik që gjatë luftës.
Parë në këtë këndvështrim dhe nisur nga teoria e BK se, “gjermanin po nuk e ngacmove, nuk të nget”, “gjermanët nuk janë pushtues, por kalimtarë” dhe që “rreziku më i madh vinte nga mali”, kuptohet lehtë edhe ngjizja e teorisë së të ashtuquajturës “luftë civile” që artikulohet ndonjëherë sot. Ironia e këtyre parullave qëndron në faktin se nëse gjermanin nuk e ngacmonin në gjithë frontet, as ai nuk kishte ndërmend të ngacmonte njeri! Për Hitler-in nuk kishte asgjë më komode se “pushtimi paqësor” i gjithë botës. Po ashtu, pas dështimit në Stalingrad në mars 1943, gjermanët ishin kalimtarë në të gjitha frontet, sepse ishin mbi udhë e nën udhë duke u tërhequr drejt Berlinit.
Sa i përket “luftës civile”, përkrahësit këtë teori kanë të drejtë në vlerësimin e thjeshtuar që i bëjnë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për ta ajo ishte e tillë, përderisa Balli Kombëtar kërkonte me çdo kusht asgjësimin e kundërshtarit politik me forcën e pushtuesit. Dhe kaq e madhe ishte kjo dëshirë, e cila kamuflohej si ahera edhe sot nën petkun e antikomunizmit, saqë nuk i ndalte asgjë të bënin jatak te pushtuesi gjerman dhe të luftonin përkrah tyre, me shpresën se do të përfitonin nga organizimi i tyre i përsosur ushtarak prusian.
Gjithsesi, sikurse thamë edhe më sipër, mes këtij grupi duhen bërë diferencime. Por ajo që mund të thuhet pa ngurrim është se Mit’hat Frashëri dhe pasuesit e tij mendonin se, sido që të vinte puna, përsëri ata do të ishin në krye të vendit, qoftë në mënyrë të vetëkuptueshme si vazhdim i traditës drejtuese, qoftë edhe nëse Aleatët do të kërkonin dikë për t’u marrë vesh pas luftës. Çka ata nuk kuptuan ishte se, si pasojë e bashkëpunimit me gjermanët, ata u shndërruan që gjatë luftës të papranueshëm si për bashkëkombësit e tyre ashtu edhe Aleatët.
Një arsye tjetër për bashkëpunimin me pushtuesit përbënte edhe mungesa e përvojës demokratike në Shqipëri. Zogu qoftë si president, por edhe si mbret drejtonte në mënyrë autokrate. Shumë përfaqësues të elitës së vjetër, por edhe intelektualë të tjerë ishin përndjekur, dënuar, internuar, por edhe vrarë prej tij. Mungesa e demokracisë së prekshme, e kryqëzuar me rritjen e lëvizjes komuniste i shtonte premisat e bashkëpunimit me pushtuesin. Kjo gjë ishte e pritshme nëse vlerësojmë prejardhjen e tyre, kryesisht nga shtresa e lartë feudalo-borgjeze e kohës. Përveç faktit se ideologjia komuniste nuk përkrahej prej tyre edhe si pasojë e barazimit të shtresave shoqërore që ajo synonte, së bashku me statusin, atyre u rrezikohej edhe prona. Kështu që, Hitler-i ofronte një zgjidhje për ta. Po ashtu edhe modeli shtetëror i Gjermanisë, me një udhëheqës të fortë në krye e impresiononte shumë këtë kategori. Tanimë janë studiuar fazat në të cilat ka kaluar bashkëpunimi me Gjermaninë nacionalsocialiste në gjithë Europën Juglindore. Fillimisht, në vitet 1939-1941 shumica e këtyre vendeve e pranuan ekspansionin hitlerian. Ndryshimi vjen me betejën e Stalingradit në fillimvitin 1943. Si pasojë, nga bashkëpunimi kalohet në një gatishmëri të hapur për të luftuar kundër gjermanëve.
Ndryshe në Shqipëri!
Pavarësisht sinjaleve të forta që vinin nga fronti kryesor i luftës, por edhe politika aleate, pas një hezitimi paraprak elita shqiptare nuk ngurroi të hidhej në krahët e bashkëpunimit me gjermanët. Sikurse u theksua qysh në fillim, ky bashkëpunim nuk kishte një bazë ideologjike, por konsistonte më së shumti në shpresën se me ndihmën e gjermanëve do të mund të likuidohej Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare e drejtuar nga komunistët. Disavantazhi politik i tyre ishte se ata kërkonin një bashkëpunim të ngushtë me Gjermaninë e Hitlerit, por nuk e shikonin këtë veprim si një varësi apo marrëdhënie koloniale. Në fakt, Hitler-i dhe bashkëpunëtorët e tij e konsideronin pikërisht të tillë. Në këtë kontekst, rreshtimi hapur i Ballit Kombëtar në krahët e pushtuesit i kategorizoi ata qartazi në anën e gjermanëve. Madje, duke djegur bashkë me ta fshatra gjatë Operacionit të Dimrit dhe atij të Qershorit, duke terrorizuar qytete e duke ekzekutuar edhe shqiptarë.
Revizionimi i historisë së Antifashizmit në Shqipëri nuk ka të bëjë shumë me Enver Hoxhën, apo me të rënët e luftës, por lidhet kryesisht me mospranimin e një realiteti historik, ku një pjesë e mirë e nacionalizmit shqiptar u gjet në anën e gabuar të historisë. Sigurisht që ana e duhur mund të kishte qenë edhe në krijimin e një blloku të qartë luftarak antifashist, duke i parë komunistët si rivalë politikë, por jo si kundërshtarë në frontin e luftës antifashiste!
Antikomunizimi është sot i vetmi argument që përdoret në kuadër të revizionimit të LANÇ-it, por ai nuk mund të përdoret si kamuflazh për të mbuluar qëndrimin e gabuar të nacionalistëve gjatë luftës, a thua se ata e kishin “nuhatur” ardhjen e Luftës së Ftohtë dhe përplasjen ideologjike që do të pasonte, para se ta kuptonin edhe vetë dy superfuqitë e ardhshme, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik, të cilët ende ishin në një aleancë të përbashkët kundër të keqes më të madhe të njerëzimit të shekullit XX, nazizmit!
Kuptimi i kolaboracionizmit filloi të politizohet tejskajshëm pas përfundimit të luftës. Në të gjitha vendet ku u shfaq ky fenomen, në vitet e para të pasluftës u organizuan gjyqe politike kundër kësaj kategorie. Ashpërsia e dënimeve ishte e ndryshme, por dënimet kapitale mbizotëronin. Ndër këto përvoja, Shqipëria ndoqi formën më të ashpër të dënimeve, duke e shtrirë ndër vite ndjekjen dhe persekutimin për familjarët e tyre, që nuk kishin asnjë përgjegjësi për veprimtarinë e prindërve apo të afërmve të tyre, të cilët gjatë luftës ishin vënë në shërbim të pushtuesit.
Sot ka tendenca studimore që e trajtojnë njësoj luftën dhe pasluftën në Shqipëri. Ajo çka rreken të bëjnë përfaqësuesit e revizionimit të historisë së antifashizmit është që përveç tezës së luftës civile, të bindin shoqërinë shqiptare se si partizanët, ashtu edhe nacionalistët, më saktë ballistët, kishin të njëjtin status, atë të luftëtarit të lirisë. Kjo gjë mund të jetë e vërtetë për disa elementë të caktuar të Ballit Kombëtar jo më shumë se gishtat e një dore dhe vetëm në fazat e para të luftës.
Në përfundim mund të themi se antikomunizëm nuk do të thotë domosdoshmërisht demokraci, sikurse edhe antifashizmi nuk është baras komunizëm!