Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj përmes një deklarate për shtyp ditën e sotme ka konfirmuar aludimet se mes mazhorancës socialiste dhe opozitës së Rithemelimit ka negociata.
Alibeaj i cilësoi ato si “pazare okulte” ndërsa theksoi se “tani që letrat janë hapur, Partia Socialiste duhet të ta tregojë, do ta dështojë komisionin e reformës zgjedhore, do të bëjë një marrëveshje okulte, do të bëjë një marrëveshje të njëanshme, do ta çojë çështjen në komisionin e ligjeve, do të bëjë një ligj të njëanshëm sipas orekseve dhe shijeve të saj?”
Deklarata e plotë:
Tre ditë më parë i jam drejtuar me një thirrje publike Partisë Socialiste për të sqaruar në interes të publikut një çështje kryesore: a janë duke kërkuar dështimin e reformës zgjedhore? A janë duke kërkuar që çështja e reformës zgjedhore të ikë nga komisioni i reformës zgjedhore ku palët janë të barabarta në kushte barazie dhe të kalojë pastaj në komisionin e ligjeve, ku Partia Socialiste ka shumicën e ku me votat e saj mund të ndërmarrë çfarëdolloj iniciative të njëanshmë, për sa kohë që opozitës i hiqet garancia e vetos. Sot përfitoj nga rasti t’i bëj të njëjtën thirrje: a po kërkon Partia Socialiste të dështojë komisionin e reformës zgjedhore? A po kërkon ta çojë çështjen në komisionin e ligjeve, atje ku ka shumicën dhe nëpërmjet peshkimit të votave opozitare, të mund të ndërmarë iniciativa të njëanshme e ku opozitës i mungon garancia, siguresa e vetme që është vetoja kundër çdo iniciative të njëanshme.
Unë e di, publiku e di në fakt që Partia Socialiste nuk i ka dashur listat e hapura, që nuk e do votën e diasporës, votën e gjysmës së shqiptarëve jashtë territorit. E di që PS nuk e do që Shqipëria të jetë një zonë zgjedhore që vota e shqiptarëve në veri a në jug të jetë e barabartë. Sepse do që nëpërmjet këtij sistemi të marrë në mënyrë jo të drejtë më së paku 6-7 mandate në tavolinë. E di që partia socialiste nuk e do votimin dhe numërimin elektronik. Ndaj pyetja që unë kam edhe njëherë për përfaqësuesit e partisë socialiste është: përse nuk i duan listat e hapura, përse nuk duan t’u japin shqiptarëve të drejtën që ata të zgjedhin përfaqësuesit e tyre? Përse duan ta ruajnë me çdo kusht marrëveshjen famëkeqe të 2008-ës? Përse nuk duan që shqiptarët jashtë Shqipërisë të dëbuar nga kjo mazhorancë të mos votojnë? Përse nuk duan që vota e shqiptarëve të jetë e barabartë? Përse nuk duan që vota e shqiptarëve të votohet dhe të numërohet elektronikisht/m.j