Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë dakord për disa ndryshime në kodin zgjedhor, shkruan A2 CNN.
Ka qenë vetë Kuvendi i Shqipërisë, që përmes një njoftimi për mediat ku paraqet edhe ndryshimet që pritet të ndodhin, e ka konfirmuar këtë.
“Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së nëpërmjet shërbimit postar. Shpenzimet për dërgimin e fletës së votimi dhe çdo materiali tjetër zgjedhor dhe informativ nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tek votuesit nga jashtë, paguhen nga KQZ”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Po ashtu në njoftimin e Kuvendit thuhet se fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara nga KQZ numërohen dhe vlerësohen në vendin e numërimit të votave nga jashtë të caktuar nga KQZ.
Njoftimi i Kuvendit:
LIGJ Nr. 00/2024 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10 019, DATË 29.12.2008, “KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
Në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Titulli i nenit 25/1 riformulohet si më poshtë:
Neni 25/1
“Procedura e votimit nga jashtë”
Neni 2
Neni 25/1, pika 3, fjalia e parë riformulohet si më poshtë:
Neni 25/1
Votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor
3. Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së nëpërmjet shërbimit postar. Shpenzimet për dërgimin e fletës së votimi dhe çdo materiali tjetër zgjedhor dhe informativ nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tek votuesit nga jashtë, paguhen nga KQZ.
Neni 3
Neni 25/1, pika 4 shfuqizohet
Neni 4
Pas nenit 25/1 shtohet neni 25/2 me këtë përmbajtje:
Neni 25/2
Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor
1.Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në momentin e mbërritjes në KQZ regjistrohen në një regjistër të posaçëm dhe ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria.
2.Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara nga KQZ numërohen dhe vlerësohen në vendin e numërimit të votave nga jashtë të caktuar nga KQZ.
3.Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëjtin moment që fillon numërimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse.
4.Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë administrohet nga një komision i përbërë prej 4 anëtarësh dhe sekretari, të emëruar nga KSHZ. Propozimi për 2 anëtarë bëhet nga partia më e madhe e pozitës parlamentare dhe për 2 anëtarët e tjerë propozimi bëhet nga partia më e madhe e opozitës parlamentare. Sekretari i komisionit emërohet mbi bazë të aplikimeve të lira dhe duhet të jetë me profesion jurist. Anëtarët dhe sekretari duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në nent 30 dhe 31 të këtij Kodi. Nëse numri në listën përfundimtare të zgjedhësve nga jashtë është më i madh se 80 mijë, KSHZ mund të ngrejë më shumë se një komision të numërimit dhe të vlerësimit të votave nga jashtë, me kushtin që vlerësimi i votave të një qarku të kryhet nga i njëjti komision.
5.Për numërimin dhe vlerësimin e votave KSHZ cakton grupe numërimi të përbërë nga dy anëtarë. Një anëtar propozohet nga partia më e madhe e shumicës parlamentare dhe anëtari tjetër nga partia më e madhe e opozitës parlamentare.
6.Rregullatori, me propozimin e Komisionerit, përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, vëzhgimin e procesit të numërimit, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezultatit zgjedhor sipas këtij neni.
Neni 5
Në nenin 64 pika 1 togëfjalëshi “70 ditë” zëvendësohet me togjalëshin “75 ditë”.
Neni 6
Në nenin 65, pika 1 togëfjalëshi “60 ditë” zëvendësohet me togfjalëshin “65 ditë”.
Neni 7
Në nenin 67, pika 1, fjalia e parë, togfjalëshi “50 ditë” zëvendësohet me togfjalëshin “60 ditë”.
Neni 8
Në nenin 69, pika 1, togfjalëshi “50 ditë” zëvendësohet me togfjalëshin “60 ditë”.
Neni 9
Në nenin 69, pika 3, togfjalëshi “70 ditë”, zëvendësohet me togfjalëshin “75 ditë”.
Neni 10
Në nenin 73 pika 1, togfjalëshi “45 ditë” zëvendësoshet me togfjalëshin “55 ditë”.
Neni 11
Në nenin 73, pika 2, togfjalëshi “42 ditë” zëvendësohet me togfjalëshin “52 ditë”.
Neni 12
Ky ligj hynë në fuqi menjëherë