Kryeministri Edi Rama dhe lideri i opozitës Sali Berisha do të zhvillojnë takime me diasporën shqiptare në Londër, në një moment kur angazhimi i shqiptarëve jashtë vendit po bëhet kyç për politikën e brendshme.
Takimi i Ramës, i cili do të mbahet më 24 nëntor, është pjesë e turit “Krenar për Shqipërinë”, pas takimeve të ngjashme në Nju Jork dhe Selanik.
Nga ana tjetër, Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie, do të drejtojë një takim virtual me diasporën më 17 nëntor, përmes një lidhjeje live, ku do të diskutohet për çështjet më të rëndësishme që prekin të ardhmen e Shqipërisë.
“Ju ftoj të na ndiqni në takimin të organizuar nga Dega e PD-së në Londër dhe aktivistë të diasporës. Do të jem në lidhje live me ju, nderkohë në takim në adresën më poshtë ju mirëpret Floriana Garo -anëtare e Kryesisë, Alfred Lela -Drejtor i Komunikimit dhe Besart Xhaferri- Kryetar i FRPD. E diel, 17 nëntor 2024, @ 1 PM, Adresa: Walthamstoë, Siddeley Road, London E17. Ky takim është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë shqiptarët e diasporës që të bëhen pjesë e diskutimeve tona mbi çështjet e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë”, shkruan Berisha.
Këto takime janë një mundësi për të angazhuar komunitetin shqiptar jashtë vendit, veçanërisht në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2025, kur diaspora do të ketë për herë të parë të drejtën e votës.
Ndërsa politika shqiptare i ka drejtuar vëmendjen e saj në këtë segment të rëndësishëm të elektoratit, duket se të dy liderët po konkurrojnë për të siguruar mbështetje nga shqiptarët që jetojnë jashtë, duke shfrytëzuar çdo mundësi për t’u afruar me ta dhe për t’u bërë pjesë e diskutimeve që mund të ndikojnë në të ardhmen e vendit.
/a.r