Protestat në Gjeorgji kanë vijuar me një intensitet të lartë gjatë 24 orëve të fundit. Mediat ndërkombëtare kanë inkuadruar protestues të cilët përdorën fishekzjarrë të prodhuar në mënyrë artizanale.
Një demonstrues i maskuar dhe me kapuç u vu re në rrugët e Tbilisit me disa fishekzjarrë të quajtur “bazuka” të përbërë nga disa “raketahedhëse” të mëdha. Mbështetësit e partive opozitare që humbën zgjedhjet e fundit parlamentare kanë protestuar jashtë Parlamentit që kur kryeministri Irakli Kobakhidze njoftoi se Tbilisi do të pezullonte bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Europian deri në vitin 2028.
Protestat janë bërë gjithnjë e më të dhunshme, ka thënë policia gjeorgjiane. Ndërkohë, Avokati i Popullit i Gjeorgjisë akuzoi policinë se ka ushtruar torturë ndaj personave të arrestuar gjatë gjashtë ditëve të protestave të mëdha në rrugë kundër vendimit të qeverisë për të pezulluar bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Në shumicën e rasteve ata kanë marrë lëndime të rënda në zonën e fytyrës, syve dhe kokës, gjë që praktikisht përjashton edhe mundësinë që policia të përdorte çdo herë forcën e nevojshme proporcionale ndaj tyre”, tha ai në një deklaratë.
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar më parë përdorimin e “forcës së tepruar” kundër protestuesve. Por, kryeministri i Gjeorgjisë Irakli Kobakhidze ka lavdëruar vazhdimisht policinë për reagimin e tyre, duke thënë se ata kanë treguar profesionalizëm më të madh se homologët e tyre në Evropë dhe SHBA.
Vendi me 3,7 milionë banorë është përfshirë nga kriza që nga e enjtja e kaluar, kur partia në pushtet “Ëndrra gjeorgjiane” njoftoi se po ndalonte bisedimet me BE-në dhe do të hiqte dorë nga çdo financim nga blloku deri në vitin 2028. Gjeorgjia ka qenë një nga shtetet pasardhëse më pro-perëndimore të ish-Bashkimit Sovjetik, por kritikët akuzojnë qeverinë për braktisjen e këtij kursi dhe për ta drejtuar atë më afër Rusisë.
Kriza po vëzhgohet nga afër në Moskë, Bruksel dhe Uashington.
/a.r