Pas protestës së dhunshme të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë para Bashkisë së Tiranës, policia ka vënë në hetim 12 protestues. Drejt godinës dhe policisë u hodhën molotovë dhe tymuese, si dhe protestuesit tentuan të largojnë me dhunë kordonin e sigurisë.
Adriana Kalaja, e cila merr edhe lejen për protestën në emër të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit është në hetim për veprën “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”.
Për veprën penale ‘Prishja e qetësisë publike’ dhe ‘Shkatërrimi i pronës’ janë vënë Tedi Blushi i PL, Klevis Balliu i Rithemelimit, Besart Xhaferri kreu i FRPD, si edhe Sali Lushaj, ish-bodygardi i Sali Berishës. Po ashtu, në hetim po për të njëjtat vepra penale janë edhe 7 protestues të tjerë.
EMRAT e protestuesve të vënë në hetim:
1-Dardan Bardhi, 27 vjeç
2-Rubin Dashi, 19 vjeç
3-Alfred Pllumbi, 46 vjeç,
4-Klodjan Bajrami, 21 vjeç
5-Sali Lushaj, 68 vjeç
6-Sokol Bushkolaj, 48 vjeç
7-Gazmend Sallaku, 53 vjeç
8-Besart Xhaferri, 34 vjeç
9-Eljan Kaja, 22 vjeç
10-Tedi Blushi, 39 vjeç
11-Klevis Balliu, 34 vjeç
12-Adriana Kalaja, 59 vjeçe
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, procedoi në gjendje të lirë shtetasit:
– D. B., 27 vjeç, R. D., 19 vjeç, A. P., 46 vjeç, K. B., 21 vjeç, S. L., 68 vjeç, S. B., 48 vjeç, G. S., 53 vjeç, B. Xh., 34 vjeç, E. K., 22 vjeç, T. B., 39 vjeç, K. B., 34 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”;
– A. K., 59 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.