Policia e Shtetit ka vendosur në pranga 3 kinezë në aeroportin e Rinasit, të cilëve iu gjetën në valixhe 12 celularë, 3 laptopë e 6 kompjuterë pasi dyshohet se këta persona me inicialet N. X., 19 vjeç, C. L., 43 vjeç dhe Sh. J., 49 vjeç, të tre banues në Kinë, organizonin veprimtaritë e kundërligjshme të lojërave të fatit dhe të prostitucionit.
Në kudër të Operacioni ‘Electronics’, përveç vendosjes në pranga të 3 kinezëve ka nisur procedimi në gjendje të lirë për një 17- vjeçar me inicialet Y. L., banues në Kinë.
“Dyshohet se organizonin veprimtaritë e kundërligjshme të lojërave të fatit dhe të prostitucionit, vihen në pranga 3 shtetas kinezë, procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër. Këta shtetas u kapën në flagrancë në Rinas, pasi tentuan të kontrabandonin në Shqipëri, 12 celularë, 3 laptopë, 6 kompjutera dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat i përdornin për këto veprimtari të kundërligjshme. Sekuestrohen pajisjet elektronike, në të cilat, gjatë këqyrjes, Policia gjeti dhe administroi faqe për organizimin e lojërave të fatit dhe të prostitucionit.
Komisariati i Policisë Rinas, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Electronics”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit kinezë: N. X., 19 vjeç, C. L., 43 vjeç dhe Sh. J., 49 vjeç, të tre banues në Kinë. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Y. L., 17 vjeç, banues në Kinë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, gjatë kontrollit në valixhet e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur 12 celularë, 3 laptopë, 6 kompjutera dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat ata po tentonin t’i kontrabandonin në Shqipëri.
“Nga këqyrja e këtyre pajisjeve janë konstatuar faqe dhe programe për organizimin e lojërave të fatit dhe për prostitucion. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve”, theksohet më tej në njoftimin e policisë.
/a.r