Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet dhe dërgon në gjykatë dosjen e vrasjes së Edmond Papës

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen për vrasjen e Edmond Papës, ngjarje kjo e ndodhur më 16 dhjetor të një vitit 2022.

Nga organi i akuzës të pandehur janë marrë Albano Velo, i cili ndodhet në pranga dhe Andrew Bode, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas prokurorisë, Velo ka qenë në rolin e vëzhguesit të viktimës, e ndërsa Bode në cilësinë e ekzekutorit.

Policia dyshon se ai mund të jetë larguar jashtë vendit ilegalisht, pasi në sistemin TIMS nuk figuron që të ketë dalë në ndonjë nga pikat e kalimit kufitar.

Zbulimi i tyre ka ardhur pas këqyrjes së kamerave të sigurisë ku Bode në afërsi të një lavazhi shfaqet me një makinë tip “Audi”, të cilën bashkëpunëtori Albano Velo e dërgoi për ta larë.

Mjeti është përdorur për ruajtjen e lëvizjeve të biznesmenit Edmond Papa, si dhe për të larguar autorin e ngjarjes pas vrasjes.

Bode kishte mbërritur në vendin e ngjarjes me një Smart të marrë me qira.

Hetuesit thonë për “Ora News”, se pasi 44-vjeçari Edmond Papa është qëlluar me armë zjarri, autori Andrew Bode është larguar me “Audi”-n e drejtuar nga Velo.

Të dy së bashku kanë udhëtuar në autostradën Tiranë – Durrës, janë kthyer e kanë ndaluar në një pikë karburanti dhe Bode ka zbritur në zonën e “Astirit”.

Më pas Bode ka marrë një taksi dhe është drejtuar drejt banesës së tij në zonën e Kodrës së Diellit.

Një ditë pas ngjarjes autori i dyshuar është afruar pranë vendit të krimit duke marrë makinën “Smart” të parkuar.

Vrasja e Edmond Papës dyshohet se ka lidhje më eliminimin e Aleksandër Sadikajt në Qershor të vitit 2022.

Policia ka identifikuar se Velo dhe Bode kanë qenë lidhje e afërt e viktimës Sadikaj./ora news

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com