Prokuroria e Tiranës i kërkon Gjykatës së Lartë të kthejë në qeli ish-luftëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj.
Organi i akuzës ka depozituar një rekurs në këtë gjykatë kundër vendimit të Apelit, marrë më 10 tetor 2023, që çoi në lirimin nga paraburgimi të Goxhaj.
Ish-luftëtari i UÇK-së u arrestua në korrik të vitit të kaluar, në zbatim të një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës, me qëllim ekstradimin e tij në Hagë. Ai akuzohet për nxjerrjen e të dhënave të bashkëpunëtorëve të drejtësisë në çështjet që kanë të bëjnë me luftën në Kosovë.
Kujtojmë se dy muaj pasi fitoi lirinë, ish-luftëtari i UÇK-së kallëzoi në SPAK Ulsi Manjën, me një kërkesë-padi ku kërkohet nisja e procedimit penal ndaj ministrit të Drejtësisë, për veprën “Shpërdorim Detyre”, e parashikuar dhe sanksionuar në nenin 248 të Kodit Penal.
Sipas Goxhajt, arrestimi i tij, që është iniciuar nga Ministri i Drejtësisë duke i hapur rrugë kërkesës për ndihmë juridike të Dhomave Speciale të Kosovës dhe pranimi i letërporosisë pa u përcjellë praktika e ardhur për ekstradim nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës me nënshkrimin përkatës të titullarit të saj, tregojnë se është qartësisht politik dhe i jashtëligjshëm.
/f.s