Pas mesnate, shëtitjet nëpër rrugicat e preferuara të Milanos ku hahet akullore e pica, do të ndalohen. Ky është projektligji i ri që po diskutohet në Milano, për shkak të kaosit që po krijohet në qytet pas mesnate nga zhurmat e qytetarëve, shkruajnë mediat italiane.
Rregullat e reja të hartuara nga këshilli i qytetit do të ndalojnë shitjen e pijeve dhe ushqimeve, duke përfshirë pica dhe akullore, pas orës 12 në lagjet më të gjalla të Milanos.
Masa, e cila do të hyjë në fuqi më 7 maj dhe do të zgjasë deri në fillim të nëntorit, do të zbatohet në zonat ku përfshihet Navigli dhe Paolo Sarpi, më të frekuentuarat, me bare dhe kioska ku shërbehet akullore.
Baret dhe restorantet do të duhet gjithashtu të mbyllin zonat e jashtme nga ora 12:30 gjatë ditëve të javës dhe 1:30 e mëngjesit në fundjavë.
“Ne po kërkojmë një ekuilibër mes socialitetit dhe argëtimit, paqes dhe shëndetit të banorëve dhe aktivitetit të lirë ekonomik të tregtarëve dhe sipërmarrësve. Një segment i konsiderueshëm i popullsisë po ankohet për zhurmën e tepërt. Në rolin tim duhet të dëgjoj të gjithë qytetarët, përfshirë ata që duhet të punojnë dhe ata që duan të bëjnë biznesin e tyre”, shprehet Marco Granelli, nënkryetar i Bashkisë për Sigurinë.