“Projekt për ndryshimin e perceptimit të pasaportës shqiptare”, Hasani: 5 rajonet ku puna është përqendruar

Pasaporta më e fuqishme për 2023 është ajo e Emirateve të Bashkuara Arabe, me të cilën lëvizet në 179 vende të botës pa viza. Ndërkohë, pasaporta shqiptare renditet e 42-ta në botë, me të cilën mund të udhëtohet në 120 vende pa pasur nevojë për viza.

Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka folur në mënyrë konkrete për një plan të detajuar që po përgatitet për të rritur numrin e vendeve, ku shtetasit shqiptarë të mund të lëvizin pa viza.

Igli Hasani: Unë e ndaj këtë shqetësim, ka qenë një nga gjërat që kemi thënë në Ministrinë e Jashtme se ne duhet të ndryshojmë perceptimin e përdorimit të pasaportës shqiptare në botë dhe kjo nuk është një gjë e thënë politikisht, por duhet bërë. Kemi një projekt të caktuar dhe një plan të caktuar. Ne po përpiqemi me një plan të qartë që këtë “gap” ta zvogëlojmë në maksimum. Ndikojnë shumë faktorë, janë edhe arsye që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit. Është momenti më i mirë që Shqipëria, që është kthyer në një destinacion turistik, të shfrytëzojë në maksimum këtë potencial që ka që shtetas shqiptar të udhëtojnë si turistë, por edhe si partnerë të mundshëm biznesi.

Blendi Fevziu: Shqipëria ka “free viza” me vendet e BE, me Kinën, ka e-viza me Indinë dhe të del në mënyrën më të thjeshtë të mundshme pa pasur asgjë, ndërkohë që ka viza me shtetet afrikane, ku nuk do të shkelte asnjë turist. Pra, kjo tregon një mungesë vëmendje, nuk tregon se një problem me Shqipërinë.

Igli Hasani: Po të shikoni shpërndarjen e përfaqësive diplomatike nëpër botë, i korrespondon edhe vizave që ne kemi. Në Afrikë, jemi në Egjipt për momentin. Gjëja konkrete që do të nisë që nga këtë vit, ne do të hapim shumë shpejt ambasadën në Kenia dhe do të mbulojë një pjesë të mirë, do të krijojë një dinamikë tjetër në marrëdhënie me shumë vende të Afrikës.

Blendi Fevziu: Po për ndryshimin e renditjes së pasaportës a ka një plan konkret dhe kush janë gjërat që mund të përmirësohen?

Igli Hasani: Ne po shohim dhe trendin se ku shqiptarët udhëtojnë. Nuk shkohet më në vendet klasike të turizmit. Ka një ekspandim të madh të mundësive. Zonat që kemi identifikuar dhe që shikojmë në hartën globale janë Afrika Veriore, Afrika Lindore për safari, Azia Juglindore, Amerika Latine dhe Karaibet. Tani ka një rritje më të madhe frekuentimi nga shqiptarët në këto destinacione. Këtu është edhe përqendrimi i punës tonë, në këto 5 rajone.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com