PROFIL / Gazmenti i vitit 2024, kundër Bardhit të vitit 2021

Askush s’mund të vinte bast se pas ca kohësh, Gazment Bardhi, ky ithanak anonim, do ia dilte që nga fundi i një formacioni të mbushur me elefantë të rëndë demokrat, të kapërcente një e nga një shkallët për t’u ngjitur jo vetëm drejt parlamentit, por edhe në krye të partisë më të madhe opozitare, po, fiks atje; ku viheshin në lojë dikur kontributet e demokratëve, respekti për vlerat e për rrjedhojë edhe e ardhmja e shoqërisë shqiptare.

Më shumë se çdo gjë tjetër, Bardhi, do mbahet mend si kontribues i dorës së parë në radhën e shigjetarëve që hodhën prore ç’mundën, ndaj atyre që menduan ndryshe nga Lulzim Basha, për ta mbajtur atëherë të paprekur kështjellën e “mbretit” nga armiqtë e brendshëm të partisë. Ky me sa duket është edhe talenti i tij. Por më i dukshmi, ai që është parë publikisht, qëndron në idenë për të ndjekur shembullin e simpatizantëve të Berishës, ku tallja, përqeshja dhe pranimi me dashje për t’u bërë qesharak, aksione këto, me shpresën, se logjika e partive tona është servilizmi dhe jo racionaliteti, do të konsiderohen një ditë si investim i vyer.

Por, Gazi s’e ka aspak në mendje të bëjë kthesë, edhe atëherë kur e sheh se është bërë tabelë qitje dhe askush se kursen më për asgjë, i vetëdijshëm për atë që bën dhe, për koston që merr, duke hequr dorë nga dinjiteti e personaliteti, kur thotë dhe bën gjëra që ndoshta as vetë s’i beson, kur e tallin dhe e përqeshin pikërisht për hir të rolit që merr, atëherë lind pyetja se për çfarë vlen ky angazhim, profesionalizmi, politika, karriera? Mos vallë kaq i madh është përfitimi në politikë, sa i gjithë ky breshër sulmesh e goditjesh mbi brez e nën brez të duket asgjë, po thjesht një vesë e pranueshme stine. E në qoftë kështu, nëse është ky vektori që udhëheq z.Bardhi, atëherë me siguri peshorja e tij anon siç duhet, dhe po, politika ia vlen me gjithë koston e lartë.

I gjendur në mes të katër rrugëve, veçanërisht pas kthimit nga SHBA, Gazment Bardhi mund të ndiqte se bashku me grupin e vogël të deputetëve të tij, vetëm dy rrugë: E para, të shkonte në Kuvend e të niste punën për ndërtimin e një grupimi alternativ ndaj Berishës dhe Bashës dhe e dyta, të ulte kokën e të bashkohej me turmën e vogël që çdo natë dëgjon fjalimet e Doktorit nga dritarja e shtëpisë, me shpresën se lavdia që mund të fitojë në mesin e demokratëve të ish-kryeministrit Berisha, duke lëshuar kopaçe me gjuhën dhe mendjen e tij ndaj kundërshtarëve, veçanërsisht brenda familjes politike, edhe pse me koston e dinjitetit dhe skrupujve lesh e li, mund të ketë menduar se mund t’i shërbejë si kolateral i mirë për t’u ngjitur shpejt në kupolën e partisë.

Gazmend Bardhi bëri një zgjedhje të qartë: u ul në gjunjë para Doktorit tek rrugica e famshme. Ju dha tundimit për të kapur një mandat parlamentar në parlamentin e ardhshëm dhe për t’u konformuar me dalldinë kolektive të Rithemelimit,në vend që t’i hyjë shtegut të vështirë të nxjerrjes së PD nga gropa ku ka rënë me duart e Sali Berishës. Është mirë që tashmë në të djathtën shqiptare ka më shumë qartësi, e më pak mëdyshje e fshehje pas gishtit. Gazmend Bardhi ishte një ndër përhapësit kryesorë të tymit në lidhje me qëndrimin ndaj krizës në partinë e tij.

Që nga vjeshta e vitit 2021, kur Berisha nisi Foltoren, Partia Demokratike ka pësuar një çarje e cila ka krijuar një konfuzion të paprecedent brenda opozitës. Në gjashtë muajt e fundit, Gazmend Bardhi është përpjekur të mbledhë kuadratin e shrregullt të deputetëve “të mesit”, për ta çuar butë dhe pa zhurmë në prehërin e Berishës. Ja ka dalë të krijojë një fryrje rreshtash të grupimit parlamentar të Rithemelimit, duke ja bërë të vështirë lojën politike Lulzim Bashës. Por njëherësh ja ka dalë të krijojë një dualizëm sjelljesh e qëndrimesh mes Berishës dhe SHBA, i cili sa më shumë që kalon koha, ngjan edhe më fals e i shtirur. Ashtu si ai vetë, kur zbriti me celular në dorë poshtë dritares së Berishës, duke tentuar të hiqet sikur kishte qëlluar aty rastësisht e nuk po i dëgjonte fyerjet e Berishës kundër Dumanit dhe SPAK.

Personazhi lapidar i Franc Kafkës Gregor Samsa, që pëson metamorfozë e shndërrohet në një insekt gjigand, nuk do të ndihej i huaj në Shqipëri, ku metamorfozat trajtohen si gjë e zakonshme. Kjo ide na u përforcua akoma edhe më shumë ditën kur Sali Berisha i bashkoi për “Shën Vlentin” Gazment Bardhin me Flamur Nokën në Shkodër. Atë mëngjes të gjithë u zgjuan me parandjenjën e mirë se spiralja e ngjarjeve jo të mira, që kishin shoqëruar prej vitesh si tik-taku i një bombe atë parti, dukej se ishte ndalur, shkurdisur e tretur nën prekjen e fortë të rrezeve të diellit. Prej tre vitesh PD ndryshon pa u ndalur, herë për mirë dhe herë tjetër për keq, por metamorfoza kafkiane, asaj që i druhet secili prej nesh, si për dreq, e nxirrte kryet vazhdimisht nga e para dhe, atje ku të gjithë mendonin se kishte lindur dielli, plazmohej më tej, për disa minuta, imazhi i një skenari të turbullt, i mbushur me ankthe dhe plot parandjenja të këqija.

Partia Demokratike dhe vetë deputetë që përbëjnë grupin “Bardhi”, në fakt, deri dje luftuan fort kundër berishizmit, pasi zgjodhën aleancën me SHBA përpara hallit dhe interesit familjarë të Sali Berishës. Por tashmë ata e kaluan ylberin dhe po mbrojnë hallin e Berishës kundër aleancës së PD me SHBA dhe Perëndimin. Por për të kuptuar më mirë “ylberin” e kaluar për hir të “bashkimit”, po ju risjellim luftën e egër të Gazment Bardhit me Sali dhe Shkëlzen Berishën. Në një postim në “Tëitter” disa kohë më parë, Gazment Bardhi sulmonte ashpër Berishën dhe djalin e tij.

“Babi i Zenit, njeriui i vetëm përgjegjës për 26 të vrarë në Gërdec, duhet të gjejë kohë të paktën ti shkojë për ngushëllim baxhanakut të tij. Koha ku çdo punë e emërim kalonte nga zyra e Zenit ka mbaruar me vendim të DASH në 19 Maj 2021. Sa më parë ta kuptosh aq më mirë për ty!”, shkruante Bardhi.

Por reagimi i Bardhit për sa i takon Gërdecit, nuk është i vetmi. Pak ditë më herët ai kishte bërë një deklaratë po aq të fortë duke dërguar mesazhin se pikërisht dosja e Gërdecit dhe implikimi i djalit, Shkëlzenit, është ajo që alarmon më së shumti Sali Berishën.

“Atyre që sot Sali Berisha u duket shpëtimtar, shumë shpejt do ta kuptojnë se ngjitja e tij në krye të PD-së nuk ka lidhje as me sjelljen e demokratëve në pushtet, as me një betejë të vërtetë opozitare kundër Edi Ramës!

Ka lidhje vetëm me hallin e tij për vdekjen e 26 qytetarëve të pafajshëm në Gërdec, për shkak të babëzisë së familjarëve të tij për tu pasuruar në kurriz të jetës dhe shëndetit të shqiptarëve”, deklaronte Bardhi atëherë.

Por përveç sulmeve të Sali Berishës atëherë ra në sy edhe reagimi i Shkëlzen Berishës, i cili e quajti Bardhin, “gazra” dhe “të shoqatës”.

“Për hir të bashkimit mendoj se të gjitha emërimet në PD, duhet t’i rikthehen si ekskluzivitet shoqatës së gazrave!”, shkruante atëherë Shkëlzen Berisha.

Sot pas rreth 1 viti e pak, duket sikur Shkëlzen Berisha ka qenë profetik. Gazmend Bardhi “për hir të bashkimit” ka gëlltitur me kushedi çfarë të gjitha akuzat për Sali Berishën që kujtuam më lartë dhe siç mendonte atëherë Shkëlzen Berisha, ka marrë eksluzivitetin e “bashkimit” të opozitës.

liberale.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com