Profesionistët, rreth 17 mijë do të tatohen nga 1 janari, ligji përfundon në Kushtetuese

Duket se qeveria ka zbuluar më në fund profesionistët, pas thirrjes së famshme të kryeministrit, Edi Rama: Punë ka por s’ka profesionistë!

Nga 1 janari rreth 17 mijë profesionistë të lirë pritet të përfshihen në skemën e tatim-fitimit me normën 15% për xhiro deri në 14 milionë lekë dhe me 23% mbi këtë fashë.

Por, ende pa hyrë në zbatim, me akt normativ, qeveria ka vendosur se disa nene të ligjit janë të pazbatueshme. Kështu formularët deklarues për tatimin e të ardhurave nga punësimi do të bëhen sipas formularëve ekzistues, jo atyre të rinj. Nëpërmjet formulës së vjetër ligji u njeh automatikisht 30% nga xhiro si shpenzime të bizneseve të ashtuquajtura të vogla, ndërsa 70% do të jetë baza e tatueshme
“Deklarimet për vitin 2024 do ngelen sipas ligjit të vitit aktual të tatim fitimit ndërkohë që deklarata e tatimit në burim do ngelet po ashtu, sepse administrata tatimore nuk ka arritur të përgatitet që të përpilojë formularët përkatës. Janë shtyrë zbatimi i ligjeve që ka të bëjë me zbritjet nga të ardhurat tatimore personale, qoftë me minimumin e patatueshëm, qoftë për shpenzimet arsimore për fëmijët, sepse nuk është e mundur të realizohet“, shpjegon Sotiraq Dhamo nga IKMT.

Shoqatat e profesioneve të rregulluara me ligj do ta kundërshtojnë në Gjykatë Kushtetuese zbatimin e këtij ligji, pasi sipas tyre krijon pabarazi dhe nuk është mënyra e duhur për të luftuar evazionin
“Është bërë një shkelje kushtetuese duke ngatërruar të ardhurat nga puna me ato nga biznesi. Për më tepër që ligji bie ndesh edhe me disa ligje të tjera në fuqi. Vërtet ka patur dhe ka përpjekje për evazion në skemën aktuale, por nuk është kjo mënyra e duhur për të luftuar këtë lloj evazioni. Është njësoj si të thuash që për disa pemë të shtrembra, duhet të presim të gjithë pyllin. Por, ku shkaktohet dëmi më i madh“, thotë Dhamo.
Qeveria është e vendosur për të vijuar me zbatimin e këtij ligji, të cilit deri më tani i ka bërë tre ndryshime pa hyrë në fuqi. Në buxhetin e miratuar të vitit të ardhshëm janë planifikuar gjithashtu se do të mblidhen prej kësaj kategorie 3 miliardë lekë më shumë taksa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com