Prej një muaji me sytë nga dera dhe deti prindërit e Aurel Ndonit nuk reshtin së prituri një lajm për gjetjen e trupit të djalit të tyre që la pas familjen dhe vajzën vetëm 5 vjeçe.
Kërkimet për trupin e peshkatarit amator që ra në det më 25 shkurt të këtij viti pritet të kalojnë në një fazë tjetër. Një anije e huaj, holandeze, e kontaktuar nga familja pritet të eksplorojë zonën në Porto Romano të Durrësit, ndërsa prindërit apelojnë për mbështetje nga shteti me polumbarë të specializuar për kërkimet në thellësi.
Mbrëmjen e fatkeqësisë, deti ishte i trazuar dhe rrymat detare të forta. Me të marrë njoftim policia kufitare dhe më pas polumbarët e RENEA-s u angazhuan në një operacion kërkim-shpëtimi. Edhe kur kërkimet zyrtare u ndërprenë, familja nuk reshti së kërkuari përgjatë të gjithë vijës bregdetare nga Shkodra deri në Kavajë, po pa rezultat.
Ditën e tretë të kërkimeve në zonën ku ra u gjet njëra nga çizmet e Aurelit që rrëshqiti nga gurët në bregdetin e Porto Romanos.
Të ardhur dy dekada më parë nga Grabjani i Lushnjës për një jetë më të mirë në Durrës, prindërit ndjehen të zhgënjyer dhe të braktisur në tragjedinë e tyre.
Me mbërritjen e anijes së huaj në zonën e portit të ri në Porto Romano shpresat janë shtuar, por familjarët kërkojnë sërish ndihmën e shtetit për të bashkuar forcat dhe gjetur trupin e Aurelit që këtë shtator do të mbushte 40 vjeç.
/f.s