Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Romës këtë të hënë (13 janar), ku ka marrë pjesë në prezantimin e garës së çiklizmit, “Giro d’Italia”. Këtë vit, gara do të nisë në Shqipëri më 9 maj, ku do të zhvillohen 3 etapat e para, teksa pak para nisjes, Rama thotë se për 3 ditë me radhë, bukuritë e vendit tonë do të ekspozohen para syve të 800 milionë teleshikuesve në të gjithë botën.
Rama e konsideron këtë ngjarje një shtysë për rritjen e mëtejshme të turizmit në vend tonë, teksa kujton se viti i kaluar u mbyll me pothuajse 12 milionë turistë.
“Një ndër ngjarjet më të mëdha vjetore të sportit që transmetohet nga 200 televizione të botës. Këtë vit Shqipëria është zgjedhur si vendi i nisjes së madhe ku do të zhvillohen 3 etapat e para dhe për 3 ditë rresht, bukuritë e vendit tonë, Durrësi e Kruja, Tirana, Vlora do të ekspozohen në sytë e 800 mln teleshikuesve, pa llogaritur dhjetëra mijëra tifozë të çiklizmit që do të vijnë në Shqipëri për të ndjekur idhujt e tyre.
Kjo ngjarje e madhe sportive ku kandidatura e Shqipërisë u përzgjodh për edicionin e këtij viti, është një tjetër pasqyrë kuptimplotë për rritjen e popullaritetit të vendit tonë, ku para disa vitesh të tilla ngjarje as që mund të imagjinoheshin. Nisja e madhe e “Giro d’Italia” në Shqipëri është edhe një tjetër shtysë për rritjen e mëtejshme të turizmit që është një industri e re, pro që e mbylli vitin e kaluar me thuajse 12 mln turistë. Shqipëri po bëhet dita ditës dhe ngjitja e saj në 2030 në BE vazhdon përditë, e pandërprerë dhe e pandalshme”, tha Rama.
“Giro d‘Italia” i këtij vitit do të jetë special, edhe për fakti se “starti i madh” do të mbahet në Shqipëri ku do të garohen tri etapat e para.
Organizatorët e njërit prej tre tureve më të rëndësishme të këtij sporti kanë bërë me dije ditën e sotme se për fanellën rozë do të jenë në garë emra si Richard Carapaz, Primoz Rogliç dhe Wout Van Aert. “Giro d‘Italia” do të nisë më 9 maj dhe do të përfundojë më 1 qershor.