Marcelino Abad Tolentino, një fermer i thjeshtë nga Peruja, festoi fundjavën e kaluar ditëlindjen e tij të 125-të mes buzëqeshjeve dhe shoqërisë së kujdestarëve të tij në një azil. Ndonëse nuk ka një certifikatë lindjeje, ai mban një kartë identiteti kombëtare të lëshuar nga shteti peruan që tregon se ai ka lindur më 5 prill 1900.
I njohur me nofkën “Mashico”, Marcelino ka kaluar jetën e tij në mes të natyrës, duke ndjekur një mënyrë jetese të shëndetshme e të qetë, shkruan A2 CNN. Sipas qeverisë, kjo jetë mes florës dhe faunës së Huánuco-s ka kontribuar në jetëgjatësinë e tij të jashtëzakonshme. Dieta e tij ka qenë gjithmonë e pasur me fruta dhe perime, ndërsa tani nuk mund ta nisë ditën pa një avokado.
I rritur si jetim, pasi prindërit e tij humbën jetën në një përmbytje kur ai ishte vetëm 7 vjeç, Marcelino nuk u martua kurrë dhe nuk pati fëmijë. Ai punoi si fermer dhe murator për dekada me radhë, duke jetuar pa energji elektrike deri në moshën 119-vjeçare.
Historia e tij doli në dritë për herë të parë vetëm në vitin 2019, falë një programi shtetëror që i dha atij akses në pension dhe shërbime të tjera sociale. Qeveria peruane është duke përgatitur një kërkesë për njohjen e tij zyrtare si njeriu më i vjetër në botë nga Libri i Rekordeve Guinness.
Nëse mosha e tij konfirmohet zyrtarisht, Marcelino do të thyejë rekordin aktual të mbajtur nga Jeanne Calment, e cila jetoi deri në moshën 122 vjeç e 164 ditë.