Ish-presidenti amerikan Donald Tramp (Trump) deklaroi se nëse humbet në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, nuk do të rikandidojë për zgjedhjet e 2028-ës.
Pyetur nëse parashikonte një tjetër kandidim në rast se mundet në garën presidenciale nga demokratja Kamala Harris, Tramp u shpreh “jo, nuk e bëj. Mendoj se do të jetë ashtu. Unë nuk e shoh fare këtë. Shpresojmë se do të jemi shumë të suksesshëm”.
Ligji amerikan i ndalon presidentët të shërbejnë më shumë se dy mandate, dhe në këtë kuadër Tramp nuk pritet të kandidojë në vitin 2028 nëse fiton zgjedhjet e nëntorit në SHBA.
Në të kaluarën, manjati i pasurive të paluajtshme rrallëherë e ka pranuar mundësinë e humbjes së zgjedhjeve, më shpesh duke ndezur mbështetësit me fjalime dhe postime në mediat sociale duke premtuar fitore në votime.
Por kjo është hera e dytë në katër ditë që ai përmend një shans për humbje.
Gjatë një ngjarjeje të mbajtur nga Këshilli izraelito-amerikan të enjten, ai përmendi humbjen dhe sugjeroi se çdo humbje e tillë do të ishte pjesërisht faji i votuesve hebrenj.
“A e dinë se çfarë dreqin po ndodh nëse unë nuk i fitoj këto zgjedhje? Dhe populli hebre do të duhet të bëjë shumë me këtë nëse kjo ndodh sepse me 40% [mbështetje] kjo do të thotë se 60% e njerëzve votojnë për armikun.“, tha ai.
Komentet u dënuan nga fushata e Harris dhe nga Komiteti jopartiak Amerikan Hebre dhe Lidhja Anti-Shpifje.
/a.r