Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, protestuesit të vrarë më 21 Janar të 2011-ës, në një intervistë telefonike për “Jetë Shqiptare” deklaroi se disponojnë një regjistrim ku Gardisti asokohe Andrea Prendi dha urdhër që ndaj protestuesve të qëllohej në trup.
Mark Nika bën me dije se në regjistrimin që disponon dhe të cilin do ia dorëzojë SPAK-ut, dëgjihet Prendi i cili hyn e del nga Kryeministria dhe më pas jep urdhër të qëllohej në mish mbi demonstruesit. Sipas Nikës, 21 Janari ishte vrasje shtetërore.
“Prej kohësh ne kemi kërkuar dhe shpresuar se një ditë çështja e 21 janarit do hetohet nga një prokurori kompetente special, siç është rasti i krijimit të SPAK.
Ky vendim nga ana jonë është përshëndetur si I saktë profesionalisht dhe në favor të së drejtës. Ky vendim i Gjykatës së Lartë është I formës së prerë. Hapi rrugën e drejtësisë për Aleksin dhe të vrarët e 21 Janarit. Ne kemi punuar gjatë gjithë kësaj kohe për të siguruar provat, për ti siguruar dhe në kohën e përshtatshme do ia dorëzojmë SPAK.
Kemi besim se hetimi do jetë i drejtë, i thellë dhe pa zvarritje. Nga ne është siguruar një regjistrim. Aty është incizuar gjithë lëvizjet dhe komandat që janë dhënë nga Andrea Prendi. Kur Andrea u fut në kryeministri dhe doli dha urdhër të qëllohej në mish, në trupat e demonstruesve.
Ai dha urdhër për të vrarë, po urdhëruesin kush e urdhëroi për të vrarë?
Ishte plan, është një organizatë kriminale e drejtuar nga ish-kryeministri dhe Ministri i Brendshëm me Andrea Prendin për të vrarë njerëz që të mbajnë pushtetin. Vrasje shtetërore”, tha Nika.
Ky i fundit sjell në kujtesë edhe deklaratën e bërë nga ish-kryeministri Berisha se do të vrisnin edhe kryetarin e opozitës Edi Ramën.
“Ish-Kryeministri pati thënë publikisht; do vrasim dhe kryetarin e opozitës, do vëmë snajper dhe do e qëllonin.
Kasetën e kemi ne, është pronë e jona dhe do e çojmë në SPAK. SPAK-u është objektiv, i depolitizuar. Jam I bindur se do hetojnë çështjen deri në fund dhe nuk do e deformojnë”, tha Nika.
Gjykata e Lartë vendosi dje (12 mars) që dosja e “21 janarit” të kalojë për hetim në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit. Gjykata e Lartë vendosi që kjo dosje të regjistrohet nga SPAK si procedim penal dhe të nisin hetimet për zgjedhjen e çështjes.
/f.s