Preç Zogaj: Opozita i mungoi detyrës në Kuvend për të kaluar buxhetin në skanerin e saj

Shkrimtari, dhe analisti Preç Zogaj, njëkohësisht President i Institutit Liberal Pashko, ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në studion e Klan News, ku përballë gazetares Mirela Milori iu përgjigj pyetjeve për ngjarjet më të fundit politike në vend, që shënoi kulmin me bllokimin e punimeve të Kuvendit nga ana e opozitës. Zogaj foli edhe  për romanin e tij të fundit “Nata”.

Në përgjigje të pyetjes së gazetares Milori se  si do ta komentonit seancë e fundit parlamentare që kaloi mes tymit dhe flakëve, Zogaj tha:

Edhe qeveria edhe opozita kanë bërë pjesën përkatëse për të prodhuar këtë situatë. Kur them qeveria, kam parasysh  intransigjencen  e saj në lidhje me propozimet e opozitës për të ngritur disa komisione hetimore parlamentare, duke u justifikuar me pengimet kushtetuese. Pra, ata po bëjnë një interpretim sipas të cilit kushtetuta i favorizon që të mos i pranojnë këto komisione. Nga ana tjetër opozita e ka vënë si kusht për vazhdimin e punimeve të parlamentit dhe duket se kanë ngecur të dyja palët në këtë llogore. Mendoj se lëshimin duhet ta bëjë qeveria, sepse komisionet hetimore nga natyra i japin pushtet opozitës. Nëse  ka ndonjë gjë që lidhet me kushtetutën, kjo duhet sqaruar në  gjykatën kushtetuese.

Mirela Milori: Duket se maxhoranca nuk lëshon pe, ndërkohë që kur dje ishte në opozitë pretendonte të njëjtën gjë…  

Preç Zogaj: Palët shkëmbejnë rolet, na kanë mësuar me ketë.  Për të ardhur te seanca e djeshme, praktikisht opozita i mungoi detyrës. Buxheti, ligji financiar më i rëndësishmi i vitit, është skena ose arena kryesore ku palët ballafaqojnë qëndrimet ,  ku  opozita nga mënyra  si analizon, si denoncon, si kritikon, si propozon   nxjerr në pah kompetencën e vet,  kulturën shtet-formuese dhe qeveri-bërëse. Pra i flet publikut  dhe mbjell farën e besimit për të ardhmen.

Kjo nuk ndodhi. Grupi që ndërmori bllokimin e seancës pengoi edhe atë pjesë të opozitës që kishte në plan  të fliste, siç ishte Partia Demokratike zyrtare apo edhe deputetë të tjerë nuk janë me asnjërin grup. Së paku në ketë fazë të miratimit në parim  buxheti kaloi pa asnjë  skaner, qëndrim, propozim opozitar. Në fund të fundit, e gjitha kjo shkon në dëm të jetës publike në tërësi.

Në përgjigje te pyetjes nëse opozita po tregon fuqi apo dobësi, Zogaj  tha  se për mendimin tim, opozita e mbledhur rreth Rithemelimit është duke treguar kryesisht dëshpërim. Sado të  përpiqemi  t’i ndajmë veç e veç dhe t’i shohim pa lidhje arsyet e qëndrimi radikal të saj në Kuvend, publiku nuk i ndan.  Komisionet hetimore dhe beteja e egër Berishës kundër SPAK dhe drejtësisë shkojnë çift. Në tërësi publiku  vëren se Berisha e përdor radikalizmin  për çështjen e tij të hapur me drejtësinë. Kjo e kompromenton protestën për komisionet dhe në thelb nuk prodhon asgjë. Të mos harrojmë se  opozita e ka shpërdoruar  pa sukses radikalizmin me qëndrimet e saj në  një histori që  përsëritet  prej vitesh dekadash; e njëjta retorikë  e stërkarikuar  së cilës i mungojnë edhe fjalët apo edhe shprehjet e reja për ta bërë  tërheqëse. Ku fishekët e fundit janë konsumon që herën e parë.

Pyetjes  se  mos ndërsa nuk po imponohet për asgjë  në aksionet e saj, opozita, po ndihmon maxhorancën, Zogaj u përgjigj:

Asnjë opozitë nuk niset të ndihmojë maxhorancen, por ndodh ta ndihmojë tërthorazi me  inefikasitetin e saj. Aksionet e grupit në te Rithemelimit  nuk  shihet te kenë  mbështetje  të madhe popullore të tillë  që të shqetësoje qeverinë  apo të verë në mendime partnered strategjikë, SHBA dhe BE. Përkundrazi. Ka më shumë opozitarë në Shqipëri sesa opozitë politike, pra, numri i njerëzve që janë në opozitë me qeverinë është shumë i madh se numri i atyre që mbështesin tri opozitar, Rithemelimin, PD-ne dhe Partinë e Lirisë. Këtu duhet reflektimi i opozitave. Si të bëjnë për vete elektoratin e madh që u rri larg.

SPAK-un e shoh në mision, tha Zogaj në përgjigje të pyetjes së drejtpërdrejtë të Milorit.  E shoh në detyrën që i ngarkon ligji, të cilën po e bën  çdo ditë e më mirë. Goditjet janë në varësi të dosjeve të hetuara,  të hetimeve që janë bërë.  Unë nuk shoh as selektivitet, nuk shoh as ndikim. Sigurisht që ka politikanë edhe në mazhorancë që kanë dashur dhe duan që ta kenë SPAK-un në dorë, përfshirë dhe kryeministrin. Kjo është treguar botërisht në përpjekjen e tyre për të vendosur në krye të SPAK një kandidat të preferuar prej tyre, por nuk ja kanë arritur.

SPAK-u më duket se i ka “mbyllur veshët” si Odiseu dhe po shkon përpara për të vendosur ndëshkueshmërinë në sferat e larta, pa dallim, kudo ku ka vepër penale. Të gjithë ato për të cilët janë ngritur apo do të ngrihen  akuza  do të kalojnë në skanerin e hetimit dhe gjykimit aty ku hetimi gjen shkelje. Vendi boll ka ecur, por nuk mund të ecë më në paqartësi, nëpër  çështje të pazbardhura.

Në pjesën e fundit të intervistës moderatorja Milori e pyeti Zogaj se si kishte shkuar në Panairin e librit romani i tij i fundit “Nata”. 

Në dritën e shitjeve shkoi  mirë. Nuk shoh tregues tjetër për t’u përgjigjur  shkoi mirë apo keq. Sado që peronalisht  e konsideroj denatyruese  shndërrimin e panairit në një shitore të përqendruar librash gjatë pesë ditëve.

Milori: Pse duket të lexohet libri “Nata”, sipas autorit?

Sepse  “Nata” është një tragjedi shqiptare e ditëve tona, që tregohet me mjetet e letërsisë.

Sepse është një roman karakteresh besoj,  ku spikasin  tri motrat- Xhoana, Romina dhe Marjana; sepse bashkë me hulumtimin e vrasjes fatkeqe  të  motrës së vogël nga  babai i saj, mendoj se romani  shpalos në thellësi marrëdhëniet dhe përplasjet që krijohen mes  ëndrrave dhe përpjekjeve  të tri vajzave  bukura  me  ligjin e më të fortit, me pushtetin e parasë, me  kontrastin e papërligjur nga diferencat e aftësive, me mentalitet të vjetra e të reja që e shohin gruan si një objekt  të kënaqësive seksuale dhe të nënshtrimit gjinor, pra me gjithë këtë  xhungël që është kurthi më i madh që u ngrihet lirive në një shoqëri të hapur. Ku vetë doraci është viktimë dhe instrument i  xhunglës.

Së treti,  sepse mendoj se të prek, të  bën për të qarë, të ve në mendime,  siç më tha një lexuese që e kishte lexuar gjatë tre a katër mbrëmjeve, por rreket të përcjellë edhe një kuptim jashtë klisheve për kompeksitetin e një tragjedie të tmerrshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com