Edhe pse e vështirë për t’u hetuar sepse kanë kaluar vite, dosja “Gërdeci” ka një mundësi proceduriale hetimi për shkak të rastit amerikan.
Drejtësia shqiptare mjafton që të marrë për referencë procesin që është bërë në SHBA dhe nëpërmjet asaj dosjeje të procedojë edhe në Shqipëri.
Këtë mendim ndanë dy avokatët Idajet Beqiri dhe Edmond Petraj sot në ‘Studio Live’, duke vënë theksin se edhe kjo çështje po zvarritet, pasi një shtet i tërë është i përfshirë, ku kryesori mbetet përsëri Sali Berisha.
Madje avokati Beqiri shkoi më tej, se politika i kishte shtrirë duart edhe te dosja “Gërdeci”.
“Dosja Gërdeci ka kaluar shumë kohë. Kam përshtypjen do ngeci, ka kaluar shumë kohë, mungojnë provat. Nuk jemi më në atë kohë të ngjarjes, personazhet, institucionet etj., nuk funksionojnë më e kështu me radhë. Thjesht të marrin vendimin e gjykatës Amerikane dhe kaq, të verifikojnë atje se si është vepruar dhe të vendosin, precedenti juridik është”, tha Petraj për Report Tv.
Për avokatin Beqiri provat ishin të dukshme, shkresore dhe me deponime, kryesisht ato të dosjes në Amerikë, që janë të dokumentuara tashmë edhe me deponime e dëshmitarë.
“Politika i ka shtrirë duart edhe te dosja Gërdeci. Ajo është dosje shumë e thjeshtë për ta provuar, edhe për faktin e dosjes amerikane dhe dëshmive të dy amerikanëve për trafikimin, por jo vetëm kaq. Kosta Trebicka i ka dhënë dëshmitë këtu dhe në SHBA dhe ai rrëfim ishte i provuar, edhe nën betim, kur ke edhe vendimin e Gjykatën e Strasburgut që e thotë hapur çështjen, por duke parë personazhet e përfshirë si Sali Berisha, Fatmir Mediu, Aldo Bumçi, Mihal Delijorgji, Shkëlzen Berisha etj., është e lehtë të provohet. Pyetja është e thjeshtë që provon faktin. Pse e bëre Gërdecin këtu? Duhej 32 km larg banesave, por ata e bënë afër kryeqytetit dhe ndodhi ajo që ndodhi, ka përgjegjësi për ato vrasje. Janë këta persona që i bënë këto vrasje. Është një krim shtetëror, krimin e bëri shteti dhe duhet të përgjigjet deri më një. Berisha, Mediu dhe Bumçi kishin në dorë ta ndalonin, por lejuan ngritjen e fabrikës atje, në mes të banesave”, tha avokati në ‘Studio Live’.