Policia me drejtues të rinj në qarqe, ministri Hoxha prezanton “kryepolicët” në Elbasan e Korçë: Çmontim grupeve kriminale!

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha vlerësoi si shumë të frytshëm bashkëpunimin mes Policisë së Elbasanit, Prokurorisë së Rrethit, Bashkisë, autoriteteve vendore dhe agjencive ligjzbatuese, të cilin nënvizoi se do të donte ta shihte të tillë në çdo qark.

Hoxha, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka prezantuar drejtorin e ri të Policisë së Elbasanit, Fatmir Hoxha.

Ministri i Brendshëm tha se Elbasani si një nga qendrat kryesore historike, kulturore e ekonomike të Shqipërisë, përballet me sfida që kërkojnë një qasje të fortë dhe të balancuar, mes zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit me komunitetin.

Më tej ai theksoi se lufta kundër krimit dhe ndërtimi i një mjedisi të sigurt për të gjithë, do të jenë shtylla kryesore të punës së trupës me uniformë.

Ai kërkoi gjatë takimit që në fokus të vijojë të jetë çmontimi i aktiviteteve të grupeve kriminale dhe forcimi i sundimit të ligjit.

Më pas në Korçë, në një takim me strukturat lokale të Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, u prezantua Erion Ahmeti, si Drejtori i ri Vendor.

Korça është ndër destinacionet më të preferuara turistike. Ajo tejmbushet për festat e fundvitit.

Për këtë, ministri apeloi ndaj strukturave të varësisë për rritjen e sigurisë publike dhe rrugore në atraksionet turistike dhe eventet kulturore mbetet prioritet.

“Si një rajon kufitar dhe ekonomikisht i rëndësishëm, Korça padyshim që përballet me sfida të krimit të organizuar, trafikimit dhe informalitetit, e në këtë aspekt kërkoj punë edhe më të madhe, për të luftuar këto fenomene dhe për të forcuar sundimin e ligjit”, u shpreh Hoxha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com