Jemi shëndoshë e mirë…” Të buzëqeshura shfaqen dy turistet belge të cilat humbën rrugën këtë të diel, teksa eksploronin malet e Tiranës. Ishte ora 17:00, kur policia e kryeqytetit mori njoftim se 2 turiste nga Belgjika kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit në fshatin Kllojkë dhe për pasojë kishin mbetur të izoluara në terrenin e thepisur të malit.
Menjëherë, efektivët e Komisariatit Nr. 1, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcën Kombëtare të Sigurisë Publike dhe ndërlidhësit me komunitetin organizuan një operacion kërkim-shpëtimi. E pas disa orësh kërkime intensive, për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur dhe të largësisë së vendit nga zona që mund të përshkohet me automjete, autoritetet arritën që të lokalizonin dy turistet.
“Shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse u kanë shkuar në ndihmë turistëve, duke u dhënë ndihmën e parë mjekësore, si dhe duke i pajisur me ushqime dhe me veshje. Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo problematikë që mund të hasin, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112”, tha policia në njoftimin e saj për mediat.
/a.r