Një futbollist 21-vjeçar i ekipit të Butrintit është rrahur nga trajnerët e tij.
Ngjarja ka ndodhur pas ndeshjes Butrinti-Memaliaj ku lojtari i ekipit sarandiot Albi Selimaj, nuk ishte pjesë e formacionit dhe për këtë arsye i ka kërkuar llogari trajnerit Neritan Novi.
Pas kësaj ka pasur përplasje fizike ku trajneri Novi dhe ndihmësi i tij, Dhiogjen Muço dyshohet se kanë goditur të riun i cili është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Ndërkohë vetë Novi ka një tjetër version të ngjarjes. Sipas tij ka qenë Selimaj dhe i vëllai që e kanë dhunuar në hyrje të dhomave të zhveshjes.
“Ka mbaruar pjesa e parë në miqësoren Butrinti — Memaliaj. Në pushim të ndeshjes ka ardhur lojtari rezervë i ekipit të Sarandës dhe më ka kërkuar pse nuk futem të luaj. Ma kërkoi në mënyrë publike para të gjithë tifozëve, dhe i kërkova të sqarohemi në dhomat e zhveshjes. Në momentin që e kam pritur në hyrje, për t’u futur në dhomat e zhveshjes, ai lojtar bashkë me vëllain e tij që nuk e njihja, kanë ardhur dhe më kanë sulmuar të dy.
Dhe pas kësaj situate, janë futur shumë njerëz, se ka pasur shumë tifozë dhe unë jam futur në dhomat e zhveshjes dhe nuk kam parë më çfarë ka ndodhur dhe çfarë është bërë. Albi Selimaj bashkë me vëllain e tij më kanë goditur. Portali në Sarandë që e ka nxjerrë lajmin, që kam goditur lojtarin, e ka përgënjeshtruar. Në stadium ka kamera, nëse e kam goditur unë të hapen kamerat e stadiumit” – ka thënë Novi për Neësport.
Policia ka ndaluar dy trajnerët Novi e Muço, 52 e 46 vjeç përkatësisht.
Njoftimi
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së njoftimit se një futbollist ishte goditur me grushte, gjatë një ndeshjeje, menjëherë kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. S., 21 vjeç (futbollist) ishte goditur me grushte, gjatë një ndeshjeje futbolli, nga 2 trajnerët e ekipit të futbollit në të cilin ai ishte pjesë. Aktualisht 21-vjeçari ndodhet në spitalin e Sarandës, në kujdesin e mjekëve.
Në përfundim të veprimeve për këtë rast u bë ndalimi i shtetasve N. N., 52 vjeç (trajner i parë) dhe Dh. M., 45 vjeç (trajner altlet), për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit ose ndërmjetësit sportiv”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.”/m.j