Përsëriten ngjarjet ku efektivët e policisë nxjerrin armën e shërbimit dhe qëllojnë ndaj qytetarëve duke rrezikuar jetën e tyre, ku në disa raste ka rezultuar fatkeqësisht dhe fatale.
Ndonëse të zotuar për të mbrojtur rendin dhe sigurinë, ndryshe ka ndodhur me 3 efektivët e Forcave ‘Shqiponja’ në Tiranë ku hetimet e Prokurorisë kanë zbuluar episodin e rëndë të shënuar në muajin mars të këtij viti.
Ngjarja ka ndodhur në datën 8 mars në rrugën Tiranë–Fushë Krujë. Tre policët e “Shqiponjave”, ndaluan një automjet për kontroll rutinë.
Drejtuesit të mjetit i kanë kërkuar dokumentet dhe i kanë thënë që të kryejnë një kontroll pasi dyshonin se mund të kishte armë.
Shoferi i ka dhënë efektivëve dokumentet dhe i ka kërkuar që të largohej pasi kishte djalin e mitur të shtruar në spital në gjendje të rëndë.
Në këto momente efektivët e Shqiponjave nuk e kanë lejuar që të ikë, por shoferi i ka lënë dokumentet dhe është larguar me shpejtësi.
Në atë moment efektivi Rezart Berberi ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar me plumba mjetin, duke rrezikuar jetën e shoferit dhe të pasagjerit.
Efektivët nuk e raportuan ngjarjen tek eprorët dhe tentuan që ta fshihnin atë duke prishur provat.
Madje ata kanë bërë më pas kallëzim ndaj qytetarit duke pretenduar që drejtuesi i mjetit kishte tentuar që t’i përplaste.
Nga ana tjetër qytetari i’u drejtua Prokurorisë së Tiranës ku bëri kallëzimin ndaj tyre.
Pas hetimeve, organi i akuzës i kërkoi gjykatës masën ‘arrest me burg’ për efektivin Rezart Berberi 34-vjeç, i akuzuar për ‘vrasje me dashje’ e mbetur në tentativë, ‘falsifikim dokumentesh’ dhe ‘kallëzim të rremë’.
Ndërsa për 2 inspektorët e tjerë, Elton Dokollari, 46-vjeç dhe Florian Zeneli 37-vjeç, gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje”, të dyshuar për shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim, moskallëzim krimi, falsifikim dokumentesh dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Pas kontrollit në banesë, efektivi Berberi nuk është arrestuar, ndaj vijojnë kontrollet për kapjen e tij.