“Po na e bëjnë jetën të pamundur”, plani për të asgjësuar mbi një milion korba

Në Kenia autoritetet janë shumë të shqetësuara për rrezikun e krijuar nga korbat, ndaj kanë nisur procesin e asgjësimit të një milion specieve të tilla. Prej dekadash të tëra, korbat kanë pushtuar zonat turistike, si dhe kanë sulmuar fermat e kafshëve. Në qytetet Watamu dhe Malindi është hedhur një lloj helmi që po përdoret për të vrarë një pjesë të këtyre shpendëve të pamëshirshëm. Kjo fushatë helmimi synon të ndalojë përhapjen e tyre drejt kryeqytetit, Nairobi. “Ata hidhen mbi zogjtë dhe i hanë si të çmendur. Këta nuk janë zogj normalë, po na e bëjnë jetën të pamundur”, thonë vendasit.

Besohet se korbat janë futur qëllimisht në Afrikën Lindore rreth viteve 1890 në një përpjekje për të trajtuar një problem në rritje të mbetjeve në arkipelagun e Zanzibarit, në atë kohë një protektorat britanik. Nga atje, ata u përhapën në kontinent, në bregdet e deri në Kenia.

Një numër masiv i tyre u regjistrua për herë të parë në portin e Mombasa-s në vitin 1947 dhe që atëherë, numri i tyre ka shpërthyer për shkak të rritjes së mbetjeve ushqimore, që ofrojnë një mjedis ideal për t’u ushqyer dhe për t’u shumuar. Procesi i asgjësimit fillon duke i mbledhur korbat në vende të caktuara përmes karremave, më pas fillon helmimi i tyre përmes një substance që ka rezultuar efektive në reduktimin e numrit të korbave, pa prekur zogjtë apo kafshët e tjera.

Aktualisht, është shpërndarë 2 kg helm në vend, i cili vlerësohet të jetë në gjendje të vrasë rreth 20 000 korba. Përdorimi i tij në Kenia, megjithatë, ka ngritur shqetësime nga aktivistët e të drejtave të kafshëve dhe shpendëve, të cilët argumentojnë se helmimi i korbave është çnjerëzor dhe se duhet të hulumtohen metoda alternative.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com