“Po luante me idetë e tij”, avokatja e 19-vjeçarit mbron klientin e saj: Nuk do kryente sulm në koncertin e Taylor Swift, bomba s’do të funksiononte

Avokatja e të dyshuarit kryesor për një plan të dështuar për sulm në një koncert të yllit botëror, Taylor Swift në Vjenë, ka tentuar të dielën të ulë seriozitetin e planit, dhe ka thënë se klienti i saj vetëm “ka luajtur me ide”. Autoritetet austriake kanë thënë më herët gjatë javës se i dyshuari është me origjinë nga Maqedonia e Veriut dhe i kanë kërkuar informacione Shkupit për të.

Tri koncertet e planifikuara të Swiftit këtë javë janë anuluar, pasi autoritetet austriake kanë zbuluar se një 19-vjeçar ka qenë duke planifikuar kryerjen e një sulmi vetëvrasës, i inspiruar prej grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS). Koncertet ishte planifikuar të mbaheshin në një stadium futbolli me mijëra njerëz. Hetuesit austriakë kanë thënë se i riu e ka kryer së fundmi një betim ndaj IS-it dhe është rrëfyer plotësisht pasi policia ia ka bastisur shtëpinë, ku ka gjetur lëndë kimike dhe pajisje që përdorin sulmuesit për të kryer sulm me bombë. Avokatja Ina-Christin Stiglitz, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuers se, i riu ka pasur kontakt me IS-in vetëm muajin e kaluar.

“I ka interesuar”, ka thënë ajo, duke sugjeruar që klienti i saj nuk ka pasur me të vërtetë synim kryerjen e një sulmi serioz. “Vetëm ka luajtur me ide”, ka thënë ajo. “Ai thotë se bomba nuk ka qenë e kualitetit të duhur, nuk do të funksiononte”. Sipas avokates, i dyshuari ka bërë kërkime online se si krijohet një bombë. Në mesin e tre adoleshentëve të arrestuar prej policisë austriake është edhe një 17-vjeçar, për të cilin Stiglitz ka thënë se klienti i saj e përshkruan si “fqinjin dhe mikun më të mirë”.

Fqinjët e 19-vjeçarit, në qytezën e vogël Ternitz, janë shprehur të tronditur me arrestimin e tij, duke e konsideruar si fëmijë të rezervuar, por të shoqërueshëm. Ata kanë thënë se njëra prej sinjaleve se ai mund të jetë radikalizuar ka qenë se kohën e fundit e ka rritur mjekrën. Avokatja ka thënë se ai e ka rritur mjekrën “për t’u dukur me stil”.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com