‘Po i jepet sinjal politik SPAK-ut’/ Grupi i PD letër Nikollës për mandatin e Olta Xhaçkës

Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës, ka përplasur kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kreun e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

Pasi Kryetarja e Kuvendit i ktheu përgjigje dje për arsyet e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike së rithemelimit i është përgjigjur zyrtarisht sot.

Në shkresën drejtuar Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, kreu i grupit parlamentar demokrat ka theksuar se është deformuar qëndrimi i Këshillit të Legjislacionit dhe se nuk ka asnjë adresim prej tij të asnjë çështje për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Bardhi kujton se Këshilli për Legjislacionin nuk është organ vendimmarrës por këshillimor.

“Duke qenë se Këshilli i Legjislacionit në raportin që i ka paraqitur Kryetares së Kuvendit, ka prezantuar dy qëndrime, atëherë kjo çështje duhet të diskutohet në Konferencën e Kryetarëve, si struktura përgjegjëse parlamentare për organizimin e punës së organeve brenda Kuvendit.” – shkruan Bardhi.

Më tej Kryetari i grupit parlamentar të PD, thekson se “nëse nga ana juaj si Kryetare e Kuvendit është përkrahur këshilla e 5 anëtarëve të mazhorancës, për të zvarritur këtë çështje, atëherë ju keni patur detyrimin kushtetuese dhe ligjor, që çështjen ta transferonit menjëherë për shqyrtim pranë Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe të thërrisnit mbledhjen e këtij Këshilli. Është fakt, që për 1 vit e 2 muaj, si dhe veçanërisht që nga Korriku 2023 ku ka përfunduar puna e Këshillit të Legjislacionit, ju nuk keni ndjekur asnjërën nga procedurat e mësipërme.” – thuhet në letrën zyrtare drejtuar Kryetares së Kuvendit.

Gazment Bardhi i ka sjell në vëmendje Kryetares së Kuvendit se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim dhe nga ky detyrim kushtetues e ligjor nuk bën përjashtim as Kuvendi dhe as Kryetari i Kuvendit. Ai i kujton, duke e paralajmëruar, se sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese “Moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dënohet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal”, duke ju referuar kështu neneve 320 dhe 320/a të Kodit Penal.

Bardhi i kërkon Nikollës që të zgjedh nëse duhet të thërras mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ose të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, por pa asnjë vonesë të mëtejshme.

“Mazhoranca socialiste duhet të heq menjëherë dorë nga precedenti i rrezikshëm i injorimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo minon demokracinë dhe parimet e shtetit ligjor. Pengim i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetutese për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, po të mbahen në konsideratë rrethanat e çështjes, krijon bindjen e plotë në opinionin publik se përmes veprimeve konkrete mazhoranca juaj po pengon drejtësinë në përmbushjen e rolit të vet kushtetues, duke i ofruar mbrojtje politike të paprecedentë një deputeti të mazhorancës. Në vlerësimin tonë, ky është një sinjal politik edhe për SPAK që të mos hetojë deputeten e mazhorancës dhe familjarët e saj, për implikimin e mundshëm në tjetërsimin e paligjshëm të pronave publike, apo të mos hetojë autoritetet përgjegjëse, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, që në shkelje të ligjit dhe me dokumente të falsifikuara i kanë dhënë familjes së deputetes Xhaçka statusin e investitorit strategjik dhe benefitet ligjore e financiare që vijnë nga ky status.” – përfundon letra e kryetarit të grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com