“Po hyjmë në një epokë të re”, Peleshi: Rijetëzimi i industrisë ushtarake, synim strategjik

Këtë të enjte në Kuvend pati një interpelancë me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi e kërkuar nga deputeti Nasip Naço e ku në fokus ishte industria ushtarake e Shqipërisë. Vendi ynë ka pasur një industri të zhvilluar gjatë kohës së periudhës së komunizmit sa i përket mbrojtjes e cila pas rënies së diktaturës u demilitarizua dhe ministri Peleshi shpjegoi arsyen pse.

“Shpatullat e një ushtrie të zvogëluar nuk e mbanim dot”, tha ai duke shtuar se një pjesë e madhe e infrastrukturës së asaj që ka mbetur është bërë barrë dhe rëndesë, e cila duhet adresuar dhe përshtatur me strategji të reja.

Ministria e Mbrojtjes ka sot si trashëgimi 3 ndërmarrje shtetërore që përbëjnë atë që quhet ish-industria ushtarake e Shqipërisë. Bëhet fjalë për Kombinatin Mekanik të Poliçanit, Uzinën e Lëndëve Plasëse të Mjekësit dhe Uzinën e Armëve të Gramshit. Tashmë këto asete, qeveria shqiptare synon t’i rijetëzojë. Peleshi argumentoi se kjo vjen edhe si pasojë e situatës gjeopolitike që po kalon bota dhe detyrimeve që ka Shqipëria ndaj NATO-s ku është aleate.

“Prej dy vitesh pas agresionit rus në Ukrainë situata gjeopolitike ka ndryshuar, arkitektura e sigurisë në botë ka ndryshuar. Për fat të keq vatra konflikti janë duke u ndezur si efekt domino dhe jemi në një periudhë që paqja është më e kërcënuar se kurrë. Kjo situatë sfidoi bazën industriale globale të mbrojtjes duke shkaktuar ndërprerje të zinxhirit të furnizimit, mungesë të fuqisë punëtore dhe njëkohësisht dhe një kërkesë tepër të lartë globale për sisteme armatimesh dhe municionesh të kalibrave të ndryshme. Në kuadrin e menaxhimit të varësisë nga industria shtetet anëtare të NATO-s gjatë samitit të Vilniusit kanë mbështetur planin e veprimit për prodhimet e mbrojtjes. Shqipëria si gjithë vendet e tjera aleate ka si detyrim të rrisë kapacitetet operacionale dhe nivelin e rezervës në municione dhe armatime për t’iu përgjigjur ndryshimeve të vazhdueshme të situatës së sigurisë. Në këto kushte rijetëzimi i industrisë ushtarake është synim strategjik. Po hyjmë në një epokë të re. Duket si e kundërt, është e ndryshme nga ajo e demilitarizmit. Nuk po them se jemi në një epokë militarizimi, por jemi në një epokë kur edhe si aleatë në NATO duhet të përgjigjemi duke rijetëzuar industrinë ushtarake në mënyrë që të kontribuojmë në rritjen e kapaciteteve edhe të prodhimit, pra të armatimeve dhe municioneve edhe në kuadër të aleancës sonë në NATO”, tha ai.

Synimi i qeverisë është që kjo industri të rizhvillohet përmes investimeve serioze nga vende të fuqishme të NATO-s.

“Industrinë nuk pretendojmë më ta zhvillojmë përmes ndërmarrjeve shtetërore, por duke tërhequr investime serioze nga vendet aleate në NATO. Kjo strategji do të rrisë efektin e kontributit tonë në axhendën e deterencës, apo e thënë shqip shkurajimit dhe mbrojtjes në zonën euro-atlantike, si dhe do rrisë zhvillimin ekonomik. Duhet parë edhe si zhvillim ekonomik dhe më gjerë se kaq. Kemi nevojë për bashkëpunim edhe në sektorë të tjerë sidomos në sektorët e edukimit, edukimit profesional sepse bëhet fjalë për industri me bazë teknologjike dhe inovative që duan fuqi punëtore të pajisur me aftësi të reja, aftësi të kohës”, tha ai.

Peleshi bëri me dije se në vite ka patur investitorë potencialë të interesuar që janë njohur me ish-industrinë tonë ushtarake nga Turqia, Italia, Bullgaria, Hungaria, Kroacia, Anglia, Izraeli e të tjerë. Megjithatë ende nuk ka projekt të konkretizuar në lidhje me këtë çështje. Ministri theksoi se synimi i qeverisë është që përveç përfitimeve për vendet e punës, Shqipëria të jetë partnere aktive në këtë industri.

“Nuk kemi akoma një projekt të konkretizuar, të mënyrës së bashkëpunimit, por mund të them që po punojmë, siç e ka thënë dhe kryeministri, për ta ndryshuar qasjen edhe në kuptimin e si sillemi në raport me këto investime. Duam të ikim nga Shqipëria 1 Euro, të shkojmë drejt Shqipëria partnere aktive, aksionere, pjesëmarrëse në këtë industri ushtarake në mënyrë që edhe përfitimet tona të mos jenë thjesht edhe vetëm, pavarësisht se edhe ai është përfitim i rëndësishëm në hapjen e vendeve të punës, të ardhura më të mira për familjet që janë të lidhura me këtë industri, por të marrim edhe dividentin si pronarë të këtyre aseteve të trashëguara. Kjo është qasja me të cilën deri më tani po punojmë”, tha ai.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com