Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Plani i Ri i Rritjes ekonomike nga BE për vendet e rajonit “na jep mundësinë që ne të mund të hyjmë në BE përmes zonave të caktuara të sistemit të BE-së dhe të marrim ato përfitime që përndryshe do t’i merrnim kur të bëheshim anëtarë të BE-së”.
Gjatë një interviste për Nacionale, Rama u ndal te zhvillimet e samitit Rajonal të Ballkanit Perëndimor me BE mbajtur pak ditë më parë në Kotorr për zbatimin në vijim të këtij plani ekonomik.
“Sot që flasim të gjithë shqiptarët që janë qytetarë të Bashkimit Evropian, qofshin nga Shqipëria, qofshin nga Kosova, kur çojnë para në Shqipëri apo në Kosovë, kanë një kosto shumë të lartë se sa nëse do të transferonin paratë që do të çonin nga Franca në Zvicër apo nga Suedia në Zvicër. Një nga gjërat që do ndodhin, të paktën për Shqipërinë kjo gjë do të ndodhë besoj deri në fund të vitit kemi bërë goxha punë për këtë, është se nuk do ketë më barrë ekstra për shqiptarët e Shqipërisë që transferojnë para nga Franca, Gjermania, Italia në Shqipëri, por do të jetë njësoj sikur do t’i transferonin në një vend brenda për brenda BE-së”, nënvizoi Rama.
Ai shtoi më tej se “kështu janë korsitë e gjelbra. Kemi një sërë pikash kufitare si rajon me vendet e BE-së, do të jetë i njëjti regjim si mes vendeve të BE-së. Plus përkundër reformave që kemi marrë përsipër që lidhen me anëtarësimin”.
Kreu i Ekzekutivit nënvizoi se “janë edhe 6 miliardë midis 2024-2027 dhe do të ndahen pavarësisht se çka bën ti. Do jepen vetëm në bazë të performancës”.
“E mira e këtij plani, është që askush nuk mban peng më asnjë Shqipëria s’ka problem as me Serbinë, as me Kosovën as më të të tjerët, por do bëjë punë e vet. Kush ka probleme me tjetrin nuk do të përfitojë nga plani”, tha Rama për Nacionalen.
/a.r