Ditën e sotme mediat e Kosovës raportuan se ishte planifikuar një atentat ndaj kryeministrit Albin Kurti, teksa ai po qëndronte mbrëmjen e djeshme në Shkup, pas kthimit nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ndërkohë e pyetur nga Euronews Albania, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut e ka quajtur të pavërtetë lajmin dhe s’ka pasur tentativë për vrasjen e tij.
“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për vrasjen e tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë” deklaroi Ministria e Punëve të Brendshme.
Ndërkohë më herët lidhur me planin për atentat ndaj tij, reagoi edhe vetë kryeministri Albin Kurti.
Kurti ka theksuar se ka mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar.
Ai shtoi gjithashtu se në Shkup nuk është ndjerë i rrezikuar, por ka parë forca të shumta policie që janë kujdesur për mbledhjen ku ai mori pjesë.
“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka deklaruar Kurti.
Është thënë se vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të ndryshme./m.j