Pasditen e sotme (1 mars), 27-vjeçari Alted Jolldashi u plagos me armë zjarri, pasi u qëllua katër herë nga dy autorët.
Të riun e prekën dy prej plumbave, një në shpatull dhe një në këmbë, ndërsa autorët e ngjarjes u arratisën.
Policia ngriti pika kontrolli dhe disa orë më vonë ka kapur dhe arrestuar dy autorët, Deis Meko dhe Kristo Lotis, e po ashtu ka sekuestruar dy armët tip pistoletë.
I plagosuri ndodhet në spital dhe për fat të mirë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Pogradec/Kapet autori i plagosjes me armë, ngjarje e ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Pogradecit.
Në pranga, të dy personat e përfshirë në konfliktin me armë.
Sekuestrohen dy armët e zjarrit, të përdorura nga autorët e krimit.
Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur ditën e sotme pranë kryqëzimit të Tushemishtit, si dhe falë negociatave të bëra nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec me familjarët e dy autorëve të dyshuar të ngjarjes, u bë e mundur kapja dhe vënia para përgjegjësisë ligjore e tyre. Konkretisht u vunë në pranga shtetasit:
D. M., 32 vjeç dhe K. L., 27 vjeç, banues në Pogradec.
Shtetasit e mësipërm, gjatë një konflikti të çastit, me shtetasin A. J., 27 vjeç, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, i cili për pasojë mbeti i plagosur dhe ndodhet për mjekim në spital.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dy armët e zjarrit që dyshohet se u përdorën në konflikt, nga autorët e krimit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.