Policia e Tiranës ka identifikuar 3 autorët e plagosjes me armë zjarri që ndodhi mesditën e sotme në rrugën Princ Vidi në kryeqytet, ndërsa ka shoqëruar dy prej tyre dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Shkak i konfliktit sipas policisë, mbeten motivet e dobëta.
“U bë identifikimi i autorëve të dyshuar, shtetasve G. N., E. N., dhe M. N., të cilët pas një konflikti për motive të dobëta, ditën e sotme, në afërsi të vendit të quajtur “Rreth-rrotullimi i 3-shit”, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin E. N., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Shtetasit G. N., dhe E. N., janë shoqëruar në Polici për veprime të mëtejshme dhe vijon puna për kapjen e shtetasit M. N”, njofton policia.
A2 mësoi se nga kjo ngjarje mbeti i plagosur nga kushëriri i tij, Ervin Nela, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
“Ervin Nela është plagosur nga kushëriri i tij, Mario Nela. Ka një plumb në pulpën e këmbës dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën”, raporton gazetari i A2, Julian Kasapi.
Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar një armë gjahu dhe një pistoletë zhurmuese.
/a.r