Motori i autorëve të plagosjes së 4 personave, mes të cilëve dy të mitur të moshës 11 dhe 17 vjeç, dyshohet se erdhi nga zona e Arbanës.
Kjo e dhënë është përftuar nga hetuesit të cilët prej së enjtes në mbrëmje po analizojnë dhjetra kamera sigurie për të kuptuar itinerarin e lëvizjes së autorëve, që dyshohet se ishin 2 persona.
Këta të fundit janë pozicionuar në vendin ku u regjistrua ngjarja, kanë pritur aty për disa minuta dhe në momentin që u është shfaqur fuoristrada luksoze, ku udhëtonin 4 të plagosurit, kanë qëlluar me breshëri plumbash.
8 prej të shtënave kapën makinën tip G Class, ndërsa breshërisë nuk i shpëtoi as një tjetër mjet që po lëvizte ne daljen e Unazes prane Lundres, por fatmirësisht pa dëme në njerëz.
Nisur nga rruga e përshkruar nga motori i autorëve, policia dhe prokuroria ka dyshime se atentatorët, janë ndihmuar dhe nga një person tjetër që i ka sinjalizuar për lëvizjet e makinës që lëviznin 4 të plagosurit, mes tyre dy të mitur, të cilët u transportuan në Itali për mjekim më të specializuar.
Krahas pamjeve, policia po verifikon dhe motorin e autorëve, që u gjet i shkrumbuar në fshatin Fikas të Mulletit.
Ai është dërguar për ekzaminim në laborator, me qëllim zbulimin e numrit të shasisë.
Ndonëse deri tani nuk ka një pistë konkrete, policia vijon të qëndrojë dyshimit se mund të ketë patur ngatërrim objektivi.