Gati 1 në 3 e bashki rrezikojnë të zhduken shumë shpejt nga harta demografike, pasi numri i lindjeve po zbret çdo vit dhe po shkon drejt zeros, ndërsa shtesa natyrore ishte negative në 77% të bashkive në vitin 2021.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se disa bashki, kryesisht në Jug, rrezikojnë të shpopullohen, teksa mbyllja e shkollave është e sigurt. Në vitin 2021, në Bashkinë e Pustecit nuk lindi asnjë foshnjë. Në atë të Dropullit kanë lindur vetëm 4 bebe, ose 50% më pak se në vitin 2011.
Në të njëjtin vit, në Bashkinë e Libohovës kanë lindur vetëm 21 foshnja, me rënie 57% nga viti 2011. Rënia më e fortë ishte në Bashkinë e Finiqit, ku për vitin 2021 kanë lindur vetëm 23 bebe, ose 74% më pak se në vitin 2011.
Që nga Censi i vitit 2011, gjatë një dekade, në vendin tonë, numri i lindjeve në rang kombëtar ra me 20%, por në 35 bashki nga 62 gjithsej, rënia e lindjeve ishte nga 30-70%. Rënia më e madhe e lindjeve rezultoi në Bashkinë e Pustesit, e cila nuk pati asnjë lindje më 2021 nga rreth 23 të tilla në vitin 2011.
Bashkia e Tropojës u rendit e dyta për rënien e lindjeve gjatë dekadës, me 62%. Në qytetin verilindor lindën vetëm 115 foshnja, nga 303 në vitin 2011.
Pothuajse në të gjitha bashkitë, ritmet e lindshmërisë ranë me ritme dyshifrore, përveç Tiranës, e cila në vitin 2021 kishte 6.7% lindje më shumë se më 2011. Bashkitë e vendit po vuajnë emigracionin e dyfishtë që i ka zbrazur nga moshat riprodhuese.
Kjo është shumë e dukshme në bashkitë e vogla, ku të rinjtë ikin në emigracion, për studime, apo punë në Tiranë dhe nuk kthehen më.
Për shkak të normës së ulët të fertilitetit, në shumicën e bashkive në vend, shtesa natyrore e popullsisë është negative, ku vdekjet janë shumë më të larta se lindjet.
Pothuajse 82% e bashkive të vendit kishin shtesë natyrore negative në vitin 2021, pasi vdekjet ishin shumë më të larta se lindjet.
Të dhënat vitale të njësive vendore janë të disponueshme për vitin 2021, i cili ishte një vit jo i zakontë për nga mortaliteti që shkaktoi pandemia, ku vdekjet ishin gati 30% më të larta se mesatarja e viteve 2016-2019.
Vetëm 11 bashki ishin me shtesë natyrore pozitive, ku lindjet ishin më të larta se vdekjet dhe kryesisht janë të përqendruara në Veriun e vendit. Me kthimin në normalitet të mortalitetit në vitin 2023, tani kur pandemia ka kaluar, të dhënat mbi shtesën natyrore mbeten shqetësuese.
Në tremujorin e dytë 2023, pesë qarqe të vendit regjistruan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në shtatë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.
Në tremujorin e dytë 2023, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 699 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 184 vdekje më shumë se sa lindje.
Përveç rënies së mprehtë të lindjeve në vitin 2022 u përkeqësuan edhe disa tregues në popullatën e femrave që janë baza e riprodhimit. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, lindën rreth 24.688 bebe, ose 9.3% më pak se në vitin 2021. Kjo ishte rënia vjetore më e fortë e lindshmërisë që nga viti 2000. Por teksa lindën më pak bebe, rënia për foshnjat femra ishte edhe më e fortë.
Raporti gjinor në lindje është 107, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 107 djem. Ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105. Kjo ka përkeqësuar riprodhimin në perspektivë.
Koeficienti Bruto i Riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm, p.sh. sa femra lindin nga 100 gra në moshë riprodhimi. KRB mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten gjatë viteve të jetës riprodhuese. Në vitin 2022, KBR-ja është 0,59 që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 41% larg zëvendësimit të vetvetes dhe ky tregues është përkeqësuar më tej.
Sipas të dhënave të detajuara, lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20-24 vjeç dhe 25-29 vjeç, ndërsa për grupmoshat më të vjetra 35-39 vjeç ka shënuar rritje të lehtë. Në vitin 2022, mosha mesatare në lindje ishte 29,5 vjeç.
Koeficientët specifikë të lindshmërisë sipas gjinisë për 2022, tregojnë se burrat e fillojnë aktivitetin e të pasurit fëmijë relativisht më vonë se gratë, afërsisht një 5-vjeçar më vonë, ndërkohë që normat e lindshmërisë pas të 30-ave i kanë më të larta se gratë.
Në një popullsi në plakje, kompanitë investojnë më pak për të ardhmen, pasi punëtorët mbi të 50-tat priren të grumbullojnë kursime për të financuar pensionin e tyre. Shumë ekonomistë kanë vënë në dukje plakjen e shoqërive perëndimore, si një shpjegim kryesor për rritjen e ulët të produktivitetit dhe rënien e normave afatgjata të interesit.
Mungesa e të rinjve pengon orientimin e ekonomisë drejt sektorëve më produktivë dhe mungesa e produktivitetit mundëson më pak të ardhura për moshën e vjetër.
Gjendja në Shqipëri po përkeqësohet nga ikja e të rinjve. Që nga viti i kaluar e deri në maj të vitit 2023 u pa rënie e fortë e importeve të sheqerit dhe drithërave me nga 30-50% me baza vjetore.
Grosistët u shprehën të shqetësuar dhe pohuan se rënia u krijua nga një largim i madh i popullsisë në moshë së re. INSTAT raportoi se vitin e kaluar, emigracioni neto, diferenca ndërmjet personave që kanë emigruar dhe atyre që janë rikthyer, arriti në 32,400 persona.
E njëjta shifër rezultoi edhe në vitin 2021, ku shumica mbi 80% janë të rinj në moshë. Ikja e 60 mijë të rinjve në dy vite, gati me madhësinë e Qarkut të Kukësit, dha efekte zinxhir në të gjithë sektorët, që nga importi, prodhimi, tregtia.
Sipas të dhënave të migracionit neto nga viti 2011 deri në 2022 janë larguar nga vendi 246 mijë persona, por një metodë tjetër e INSTAT, që krahason dy të dhëna, popullsinë banuese dhe atë të regjistrit civil, nxori se numri i emigrantëve që jetojnë jashtë vendit u rrit me 600 mijë ndërmjet vitit 2011 dhe 2020.
Adi Haxhiymeri, nga Shoqata e Përpunuesve të Miellit, një nga importuesit më të mëdhenj të miellit në vend, thotë se, konsumi i brumërave po bie nga viti në vit nga pakësimi i popullsisë në moshë së re.
Të rinjtë janë konsumatorë të mëdhenj të brumërave, sheqerit, pijeve alkoolike dhe ëmbëlsirave, ndaj ikja e fortë e tyre në dy vitet e fundit u ndie në konsum, i cili nisi të përmirësohet vetëm me ardhjen e turistëve në vend.
Të njëjtin shqetësim kanë pohuar edhe grosistët e sheqerit, të cilët raportuan se shitjet në zonat rurale kanë pësuar rënie të ndjeshme nga tkurrja e popullsisë. Paralelisht me rënien në konsum, kompanitë në të gjithë sektorët shpallën emergjencën për punonjës. Turizmi, ndërtimi dhe kompani në sektorin e prodhimit kanë nisur të furnizohen me punonjës të huaj.
Mungesa e kapitalit njerëzor tani është kthyer në shqetësim për rritjen ekonomike të vendit, teksa në afate më të gjata, sistemi i pensioneve, kujdesi social dhe cilësia e demokracisë, në mungesë të një popullsie në moshë të re, do të përkeqësohen.
Kriza e burimeve njerëzore fillimisht u shfaq në fabrikat e fasonit, por tani është përhapur me shpejtësi në të gjithë sektorët.
Në vitin shkollor 2010-2011 ishin të regjistruar në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë 782 mijë nxënës dhe studentë, ndërsa në vitin akademik 2022-2023, ky numër u reduktua në 545,222 ose gati 30% më pak sipas të dhënave të INSTAT.
Reduktimi i numrit të nxënësve në dekadën në vijim ka rrezik të përgjysmohet, pasi numri i lindjeve në vitin 2022 ishte vetëm 24 mijë bebe, ose 30% më pak se më 2011.
Deri në vitin 2032, pritet që sektori i arsimit të reduktohet me rreth 40%.