Gjykata e posaçme ka caktuar një tjetër masë sigurie “arrest në burg” për Firdeus Berberin që u ekstradua pak ditë më parë nga Greqia.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Pogradec më 29 prill 2022, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “prishja e qetësisë publike”.
I riu nga Pogradeci akuzohet nga prokuroria si pjesë e grupit të Laert Haxhiut dhe roli i tij është zbuluar nga dëshmia e Artan Tafanit që ka bashkëpunuar me prokurorinë.
Sipas Tafanit në shkurt të vitit 2023, Berberi në bashkëpunim me Laert Haxhiun dhe një anëtar tjetër të grupit kanë vjedhur me dhunë një automjet në Durrës, për ta përdorur më pas për ngjarje kriminale. Ndërsa gjatë një operacioni të policisë për arrestimin e Artan Tafanit në një operacion në zonën e Astirit në Tiranë dy efektivë policie janë kërcënuar me armë nga Berberi që më pas u largua me vrap.
Në atë kohë Berberi ishte në kërkim për plagosjen e Johan Muçllarit në Pogradec dhe gjatë kësaj periudhe fshihej në Tiranë. Ndaj Berberit është caktuar masë sigurie edhe nga gjykata e Pogradecit pasi akuzohet për “Vrasje me dashje” të mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa lejë të armëve”.
Si rezultat i bashkëpunimit të “Interpol Tirana” me “Interpol Athina” u bë i mundur arrestimi i tij në Greqi, duke u finalizuar me ekstradimin disa ditë më parë drejt vendit tonë.
/a.r