Vitin e shkuar u importua mish nga jashtë si kurrë më parë. Kjo, jo se shqiptarët konsumuan më tepër, por nga që në vend pati edhe më pak bagëti.
“Janë shitur bagëtitë të gjitha. Në Shqipëri nuk merret më njeri me blegtori. S’po e kuptoj se çfarë po bëhet”, thotë kasapi Sami Sinani.
Vlera e mishit dhe nënprodukteve të tij të blerë nga jashtë në 12 muajt e lëna pas përllogaritet në 77 milionë euro. Në raport me 2022-shin, importet u zgjeruan me 7.1 milionë euro qapo 9.2 për qind.
“Dy janë arsyet kryesore. Së pari, largimi i banorëve nga fshati, së dyti është falimentimi i disa komplekseve blegtorale në Shqipëri”, thotë pedagogu Ndoc Faslia.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se më shumë se 1/3 e mishit gjatë vitit të shkuar erdhi nga Brazili. Lista e importeve pasohet nga Greqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia.
“Shqipëria nuk ka nevojë të zgjerojë kapacitetet përpunuese, por duhet të rritet prodhimi dhe standardet. Kjo bëhet duke orientuar të paktën 70% të skemës së subvencionit në sektorin blegtoral kryesisht për prodhim”, shprehet Faslia.
Mishi është një ndër produktet për të cilin shqiptarët po paguajnë më shtrenjtë. Në varësi të llojit, rritja luhatet nga 100 lekë tek ai i viçit e kecit, në 250 lekë te mishi i qengjit.