Piktori pejan Xhevdet Spahija çel ekspozitat në Shqipëri: Pikturat janë si fëmijët, gjithmonë je më i lidhur me më të

Nëntori i 2023 e solli në Korçë, në galerinë “Guri Madhi” të bibliotekës së qytetit. Një kthim në retrospektivë, me pikturat ndër vite të ripërpunuara e të sjella me motive e frymëzime të reja. Figurat e mbërthyera nga historia, si Skënderbeu, Ismail Qemali e Nënë  Tereza, deri te kostumet kombëtare e krahinore, me figura të femrash të njohura e panjohura, disa të dala nga mitologjia, apo kushedi çfarë auresh të historisë dhe njerëzimit, me ngjyra dhe lëvizje që skërmitnin fantazinë e gjithsecilit, u shpërfaqën të gjitha në një ekspozitë të veçantë për artdashësit korçarë.

Autori ekspresionist tregon se kishte 5-6 vite që po mendonte hapjen e një ekspozite personale në këtë qytet, por në mungesë të kontakteve personale, ngjarja ishte shtyrë deri në këtë moment. E ku më mirë se për Festat e Nëntorit, të cilat preferon t’i kalojë në Shqipëri.

I lindur në Pejë, në atë që e cilëson si lagjja e artistëve, me figura të tilla si Shemsedin Kasapolli, Ruzhdi Cakolli e Zyhdi Cakolli, Bahri Drancolli, Xhevdet Spahija nuk iu nda kurrë artit dhe pikturës. Që pas momentit kur motra e tij, Besnike Spahija Alickaj, mësuese e artit figurative, spikati talentin e tij për pikturë, ai vijoi në qytetin e lindjes shkollën e mesme e më pas në Prishtinë u zhvendos për të ndjekur Akademinë e Arteve.

Prej 44-vitesh ka punuar si mësues në gjimnazin e Gjakovës “Hajdar Dushi”. Edhe pse në pension, sërish qëndron aktiv, punon e pikturon, duke shpërfaqur gjithmonë kreativitetin e tij, të ngërthyer jo vetëm me atdhedashurinë, por edhe me natyrën, të bukurën, femrën.

Kjo nuk është ekspozita e parë që Spahija e sjell në Shqipëri. “Ekspozitë në Tiranë kam pasur në vitin 2013, në Vlorë 2017 dhe në Gjirokastër në 2021. Por Tiranën s’do ta anashkaloj dhe do të hapë ekspozitë edhe atje”, tregon piktori, i cili do ta mbyllë 2023 e me dy ekspozita të tjera, në Lezhë dhe Librazhd.

Ai nuk është vetëm piktor portretesh, telajoja e tij shkel edhe mbi natyrën, nudizmin, edhe mbi abstraksionizmin. Ardhjet e shpeshta nëpërmjet ekspozitave e kanë njohur me ambientin dhe artistët në Shqipëri.

“Piktorë në Shqipëri ka shumë dhe shumë të mirë kryesisht pejzazhistë, ndërsa piktor të artit abstrakt dhe ekspresionist modernist njoh dhe vlerësoj Helidon Halitin, e në veçanti Gazmend  Lekën”, shprehet ai.

Punët e tij kanë udhëtuar për rreth 50 vite nëpër qytetet e Kosovës, Pejë, Gjakovë, Prishtinë, nëpër eskpozita kolektive e personale, por edhe kanë tejkaluar kufijtë e kombëtares e kanë udhëtuar drejt Polonisë, e Suedisë. Më e fundit ishte ekspozita personale në Zagreb të Koracisë, në 2022-in.

I pandalur në pasionin e tij, por jo aq i pandashëm për pikturat që krijon. “Pikturat janë si fëmijët, gjithmonë je më i lidhur me më të voglin fëmijë, pra me pikturat e krijuara më vonë”, shprehet ai./Luiza Pinderi- Liberale.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com