“Pikë e rëndësishme për lëvizjen nga Tirana drejt Dibrës”, Balluku jep lajmin e mirë: Tuneli i Murrizit hapet për qarkullim në pranverë!

Tuneli  i Murrizit i cili afron më shumë Tiranën me Dibrën do të hapet plotësisht për qarkullim në mars të vitit 2025.

Zv.kryeministrja njëherësh Ministre  e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka inspektuar punimet ku aktualisht po punohet me detajet e fundit ndërsa theksoi se kjo vepër infrastrukturore do të hapët plotësisht në pranverë pasi ndërtimi ka përfunduar

“Puna në tunelin e Murrizit, një ndër veprat më të rëndësishme të Rrugës së Arbrit është përmbyllur. Ai do të hapet në marsin e vitit 2025, kur dhe tuneli i emergjencës të ketë përfunduar. Tuneli i Murrizit, është një tub i hekurt, i armatuar në 360 gradë, jo vetëm në kupolë, por edhe në dysheme për të krijuar qëndrueshmëri”, deklaroi Balluku.

Balluku theksoi se ndërtimi i kësaj vepre ishte e vështirë për shkak të gjeologjisë së tokës. Ajo hodhi poshtë zërat se qeveria ka rritur financimet për ndërtimin e saj.

“Kontrata e Rrugës së Arbrit është e lidhur me çelësa në dorë dhe shteti shqiptar nuk ka shtuar asnjë qindarkë. Është e njëjta paketë financiare siç është parashikuar në nisje të punime”, tha Balluku.

Ajo e cilësoi një ndër veprat më të rëndësishme sa i përket ndërlidhjes së Jugut me Veriun.

“Është krenaria e infrastrukturës shqiptare. Tregon se kompanitë shqiptare kanë të gjitha mundësitë për ndërtimin e veprave komplekse, siç ishte ky rast”, tha ajo.

Me një gjatësi rreth 74 km, Rruga e Arbrit, e cila i kushtoi buxhetit të shtetit 33.6 miliardë lekë, do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km.

Rruga e Arbrit jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit.

Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

Gjithashtu, ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com