Buxheti i vitit 2024 ka planifikuar të ndajë për sektorin e peshkimit 473 mln lekë, ose 4.6 mln euro.
Kjo shumë është rreth 15% më e madhe se vitin e kaluar dhe shkon për të inkurajuar sipërmarrjen vendase të investojë në peshkim.
Peshkimi është një ndër sektorët më të formalizuar në vend, prej të cilit Shqipëria eksporton rreth 130 milionë euro në vit, por një nga problemet qe hasin kompanitë sot, është mungesa e punonjësve vendas, të cilët janë zëvendësuar nga peshkatarë të huaj, kryesisht egjiptianë dhe turq.
Konkretisht me llogaritjet dhe zërat përkatës, mbështetja financiare do të mundësojë investime në zgjerimin e kapaciteteve ankoruese në portet kryesore të vendit, si dhe do të vihet në dispozicion skema kombëtare e mbështetjes për të vazhduar me rinovimin e flotës së peshkimit.
Ministria e Bujqësisë thotë se objektivat e vitit 2024 për këtë sektor i bashkohen standardeve të Bashkimit Europian që nga licencat, konkurrenca, ruajtja e produktit, deri në tregtimin e tij brenda dhe jashtë vendit.
Në programin buxhetor preket edhe inspektimi, ku ministria synon rritjen e numrit të kontrollove të inspektoriatit të peshkimit në subjektet e peshkimit nga 2300 në vitin 2023 në 2450 në vitin 2026.