E mërkura rezultoi një ditë tragjike në Mal të Zi, e shënuar nga vdekja e pesë qytetarëve malazezë, dy prej tyre si pasojë e përplasjeve mes klaneve dhe tre në aksidente automobilistike.
Një 53-vjeçar ishte viktima e parë e ditës nga një përplasje fatale në Plav.
Pak orë më vonë, në mes të ditës në Podgoricë, mes klaneve kriminale mbetën të vdekur një 25- (Zarko Pejakovic) dhe 41-vjeçar (Petar Lipovina). Ata u qëlluan nga më shumë se 30 plumba brenda makinës së tyre të blinduar në Cetinje. Pas ngjarjes, makina e autorëve u gjet pranë një lumë, ku i ishte vënë zjarri për të fshehur gjurmët. Dy viktimat konsiderohen nga autoritetet policore si pjesëtarë të klanit kriminal Kavac.
Më vonë, tragjeditë vijuan me një aksident në Zeta, ku mbeti i vdekur një çiklist prej përplasjes nga një makinë, teksa ishte duke kaluar rrugën.
Dita u mbyll me vdekjen e një vajze 16-vjeçare, e cila u godit nga një makinë, që po drejtohej me shpejtësi të pakontrolluar nga një 17-vjeçar.
Thirret Këshilli i Sigurisë Kombëtare
Ngjarjet shtynë të enjten kryeministrin Milojko Spajiq që të thërrasë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Partia opozitare “URA” e ish-kryeministrit shqiptaro-malazez Dritan Abazoviq akuzoi qeverinë se është vetë viktimë e “strukturave kriminale që e kanë marrë atë nën kontroll” menjëherë pas largimit të z. Abazoviq nga kryeministria.
“Vrasësit lëvizin lirshëm në vendin tonë, ku shkollat dhe kopshtet po mbyllen, pasi prindërit janë të frikësuar për fëmijët, ndërsa meshkujt, njësoj si në kohë lufte, ruajnë gratë dhe fëmijët në shtëpi.
Lufta e vështirë i ndali klanet, krerët dhe pjesëtarët e grupeve të organizuara kriminale u hetuan dhe për gati dy vite nuk kishim asnjë vrasje kriminale. Por sektori i sigurisë tani është sërish në gjunjë,” reagoi zv.kryetari i URA-s dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Filip Adzhiq (o. Adzic). /CDM, Vijesti