Jo vetëm eskorta shqiptare në vendet e zhvilluara dhe të lakmuara si Dubai, por edhe e kundërta.
Vajza të huaja që rekrutohen nëpërmjet faqeve të internetit dhe më tej menaxhohen nga shtetas shqiptarë ose të huaj kundrejt një përqindjeje të caktuar, deri edhe në shfrytëzim nëpërmjet kërcënimeve, shantazhit dhe deri dhunës.
Rasti më i fundit (i gjashti në dy vitet e fundit), ishte ai i ditës së sotme, kur Policia e Tiranës njoftoi çmontimin e një rrjeti të organizuar prostitucioni, deri në gjobëvënie, i drejtuar nga një shtetase kineze që u arrestua dhe mikja e saj e shpallur në kërkim. 7 vajza eskorta po procedohen gjithashtu penalisht.
Strategjia është pothuajse e njëjtë, sigurimi i banesave nëpërmjet AirBNB me qira nga interneti dhe po në këtë mënyrë, kryesisht nga faqja e eskortave “Eurogirlsescort” rekrutimi i tyre.
Nga kinezet dhe filipinaset, ukrainaset, ruset, bjelloruset dhe kazakistanaset, dhe deri te latinet; si spanjolle, venezueliane dhe kolumbiane.
Por jo gjithçka shkon siç duhet për vajzat e reja që kërkojnë fitime më të larta në vende europiane si Shqipëria, sepse mund të rrezikojnë edhe jetën. I tillë ishte precedenti i Durrësit në mars të këtij viti, teksa tutori nga Shijaku, tashmë i arrestuar, fluturoi nga dritarja e hotelit ku po qëndronte te “Plepat”, një eskortë spanjolle.
Policia zbuloi më tej edhe 5 vajza të tjera që i ndaloi dhe procedoi, nga Venezuela dhe Kolumbia, si dhe një tutorë nga Spanja të implikuar. Ose rasti i goditur sot në kryeqytet, ku eskortat shantazhoheshin të paguanin deri në 15 mijë euro për t’i liruar nga detyrimi, ose mbaheshin peng. Madje në një rast të shfrytëzuarit për prostitucion ishin 2 djem me kombësi të huaj.
Gjatë këtij viti numërohen të paktën 4 raste dhe vihet re një shtim i numrit të eskortave të huaja që vijnë në Shqipëri, edhe si pasojë e sezonit turistik dhe biznesit të kësaj natyre në rritje me kërkesë-ofertë.
Pagesa që shkojnë nga 100-300 euro për çdo klient dhe ku fitimet në rastin më të mirë ndahen. Vajzat pajisen edhe me një “armë” të veçantë, duke i joshur klientët me lëndë narkotike, kryesisht kokainë, të cilën e përdorin edhe vetë për të përballuar ngarkesën e aktivitetit dhe stresin.
Të dhënat tregojnë se ka edhe vajza nga vende të tjera, si Ekuadori, Tajlanda apo Turqia. Dhe bazat e tyre vendosen kryesisht në Tiranë, ku sigurojnë banesat me qira dhe ku ka numër më të madh popullsie apo qarkullim leku, zona e bregdetit të Durrësit, që mbipopullohet nga turistët, si dhe bregdeti i jugut, kryesisht Vlora e Saranda.
30 Shtator 2022
Shtatë shtetase të huaja u arrestuan nga Policia në Tiranë pasi kishin ardhur në vendin tonë për të ushtruar aktivitetin e prostitucionit. Vajzat e huaja të moshës 21-30 vjeç, ishin me kombësi nga Spanja, Kolumbia, Venezuela dhe Rusia. Në krye të skemës së shfrytëzimit të prostitucionit ishte 30-vjeçarja Beisi Yusmar Rojas Ruiz, nga Kolumbia, e cila kishte rekrutuar të rejat e tjera për t’i shfrytëzuar për prostitucion.
Aktiviteti i paligjshëm ushtrohej në disa zona të kryeqytetit, në banesa të marra me qira. “Report Tv” siguroi atë kohë edhe dosje e Gjykatës, e cila i liroi me masa të buta sigurie të dyshuarat. Vajzat paguheshin nga 200 në 1000 euro. Gjykata caktoi detyrim paraqitje për 7 vajzat e arrestuara në flagrancë; Lismar Maryelis John Perez, 28 vjeçe, Leidi Yaritza Anillo Bolano, 23 vjeçe, Yuri Lorena Vargas Sanchez, 28 vjeçe, Daniela Carolina Mendoza Barboza, 31 vjeçe, Margarita Grushevskaia, 21 vjeçe, Laura Vanesa Mercado Baselga, 22 vjeçe, Beisi Yusmar Rojas Ruiz 30 vjeçe. Hetimet janë zhvilluar nga shkurti 2022, në kuadër të operacionit të koduar “Contact”, teksa u bllokuan edhe pasaportat e vajzave.
6 Mars 2024
Një rrjet prostitucioni me vajza të huaja është zbuluar edhe në Durrës, teksa pati edhe një incident dramatik para se të finalizohej aksioni policor. 23-vjeçarja Darjana Linares, e lindur në Barcelonë, u shty nga kati i dytë i hotelit ku kishte rënë dakord të kryenin marrëdhënie seksuale, pas një konflikti me 39-vjeçarin Ismet Zoto. Për pasojë ajo u plagos lehtë. Këtë e kanë bërë me dije blutë e Durrësit, duke theksuar se pesë vajzat me origjinë nga Venezuela, Kolumbia dhe Spanja, janë proceduar penalisht pasi ushtronin prostitucion në hotelin ku jetonin, të marrë me qira në Durrës.
Vajzat ishin të moshave nga 23 deri 46 vjeçe, që u proceduan penalisht dhe u morën në hetim për prostitucion nga Prokuroria. Kurse Zoto, nga Shijaku, u arratis pas ngjarjes dhe u kap më pas, teksa u dyshua edhe si tutor. Sipas dosjes hetimore, vajzat hynë në Shqipëri më 5 shkurt 2024 dhe kanë pranuar se ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesës. Vajzat kanë dëshmuar se aktivitetin e paligjshëm e kryenin në pavarësi, duke pretenduar se nuk kishin një person që i menaxhonte apo i ushtronte presion. Paratë që fitonin, ata kanë pretenduar se ua dërgonin familjeve të tyre dhe pagesat shkonin deri në 200 euro për klient.
3 Maj 2024
Një tjetër rrjet prostitucioni u zbulua në Tiranë, kur një shtetas nga Venezuela, 29-vjeç, u zbulua se shfrytëzonte si punëtorë seksi dy djem të rinj, po me kombësi të huaj (homoseksualë). I dyshuari Guzman Gil Raibel Joisquel, si edhe një nga djemtë që ushtronte prostitucion, 31-vjeçari Daniele De Carli, janë arrestuar nga policia. Ndërsa 19-vjeçari me iniciale A. S., u procedua në gjendje të lirë. Sipas hetimeve, tutori nga Venezuela shfrytëzonte për prostitucion, dy shtetasit e tjerë, të cilët kishin ardhur nga vende të ndryshme, në Shqipëri.
Ata ishin akomoduar në një banesë me qira, në rrugën “Kongresi i Tiranës”, dhe nëpërmjet një faqeje në internet, krijonin kontakte me njerëz të ndryshëm, për të ushtruar prostitucionin, kundrejt pagesave 150-300 euro. Operacioni u kodua “ET-1”, në një banesë me qira në rrugën “Kongresi i Tiranës” dhe menaxhimi bëhej nga një faqe në internet.
6 Maj 2024
Katër persona, mes të cilëve dhe 3 të huaj, u vunë në hetim në Durrës, pasi u akuzuan se ushtronin veprimtarinë e prostitucionit. Policia atëkohë njoftoi se aksioni u krye në apartamentin e një pallati në lagjen nr. 4. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 pasaporta, 5 celularë dhe shuma parash të valutave të ndryshme të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
“Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë për shtetasin R. G., 20 vjeç, banues në Durrës, si dhe për shtetasit N. B., 56 vjeç, T. S., 28 vjeçe dhe A. P., 36 vjeçe (me shtetësi amerikane dhe bjelloruse)”, njoftonte policia. Të dyshuarit u akuzuan se ushtronin prostitucion duke siguruar klientë nëpërmjet menaxhimit po në faqe interneti.
26 qershor 2024
Një 29-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës në një tjetër aksion, pasi akuzohej se shfrytëzonte për prostitucion disa vajza të huaja.
Në pranga ra i dyshuari Tritan Guni, ndërkohë që policia shpalli në kërkim si bashkëpunëtore motrën e tij, Bukurije Guni. Tre gra nga Kazakistani dhe 1 nga Kolumbia kanë qenë pjesë e grupit ‘Escort Tirana’.
Tritan dhe Bukurije Guni dyshohet se u merrnin vajzave të huaja deri në 250 euro për marrëdhëniet seksuale që ato kryenin, ndërsa ata iu siguronin vendin për të qëndruar. Aksioni u kodua “Foreign”. Hetimet kishin nisur prej vitit 2023. Vajzat ishin të moshave 44, 39, 32 dhe 25 vjeçe./Shqiptarja.com