Përse u arrestua Pavel Durov, “Mark Zuckerbergu” i Rusisë me tre shtetësi?

Themeluesi dhe CEO i aplikacionit popullor të mesazheve Telegram, u arrestua nga policia franceze të shtunën në mbrëmje në aeroportin Le Bourget, që ndodhet në veri të Parisit.

Miliarderi 39 vjeçar franko-rus, i cili kishte mbërritur nga Baku i Azerbajxhanit, pritet të dalë në gjykatë të dielën e sotme për t’u përballur me akuza të rënda, raportojnë mediat franceze.

Pse u arrestua Pavel Durov?

Arrestimi i Durov vjen si pjesë e një hetimi paraprak të drejtuar nga OFMIN e Francës (Zyra për Parandalimin e Dhunës kundër të Miturve).

Zyra kishte lëshuar më herët një urdhër për arrestimin e tij, duke cituar akuza që përfshijnë pastrim parash, trafik droge dhe shpërndarje të përmbajtjeve sensitive, kryesisht ato të abuzimit seksual të fëmijëve në Telegram.

Mungesa e moderimit të platformës dhe përdorimi i supozuar i saj nga grupet kriminale kanë qenë në qendër të këtyre hetimeve nga autoritetet franceze.

Të shtunën, një nga hetuesit tha se ishin të befasuar që Durov erdhi në Paris duke e ditur se ai ishte një person i kërkuar. “Mjaft me pandëshkueshmërinë e Telegramit“,- tha hetuesi.

Mediat lokale të lajmeve BFMTV dhe TF1 raportuan se hetimi u fokusua në shfrytëzimin e mundshëm të Telegram nga subjektet kriminale, si dhe dështimin e pretenduar të Durov për të zbatuar masa efektive për të parandaluar aktivitetet e paligjshme në platformë.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi se po ndërmerr hapa për të sqaruar situatën, veçanërisht nëse themeluesi i Telegram është arrestuar vërtet. Pavel Durov, i cili u bë shtetas francez i natyralizuar në gusht 2021, por ai ka gjithashtu edhe shtetësi në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Megjithatë kanë qenë të shumtë figurat publike që e kanë kundërshtuar arrestimin e tij duke e cilësuar si të padrejtë dhe një metodë e përdorur nga pushteti për të “vrarë” fjalën e lirë dhe cenusuruar të vërtetën.

Pronari i rrjetit social X, Elon Musk, i cili është përballur me kritika të shumta për moderimin dhe materialin e shpërndarë nga faqja e tij e mediave sociale, ka postuar vazhdimisht për situatën.

Ai ka shpërndarë një postim me hashtagun  #freepavel, ndërsa në një tjetër shkroi: “POV: Është viti 2030 në Evropë dhe ju jeni duke u penalizuar nga liria, thjesht se keni pëlqyer një meme”.

Komentatori amerikan Tucker Carlson deklaroi se CEO i Telegram u arrestua pasi refuzoi të “censuronte të vërtetën”.

“Pavel Durov ulet në një burg francez sonte, një paralajmërim i gjallë për çdo pronar platforme që refuzon të censurojë të vërtetën me urdhër të qeverive dhe agjencive të inteligjencës,” shkroi ai në X.

Gjithashtu, disa zyrtarë rusë kanë dënuar arrestimin e biznesmenit, ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova postoi në Telegram duke pyetur nëse OJQ-të perëndimore të të drejtave të njeriut do të heshtin për arrestimin e Durov, pasi kritikuan vendimin e Rusisë për të ndërhyrë në aktivitetin n e Telegram në Rusi në vitin 2018.

Pavel Durov, i njohur ndryshe si “Mark Zuckerberg” i Rusisë

Pavel Durov, i referuar shpesh si “Mark Zuckerberg i Rusisë”, ka një histori të gjatë të kundërshtimit dhe përplasjes publike të tij në lidhje me kërkesat e qeverisë ruse.

Para se të themelonte Telegram, ai krijoi Vkontakte (VK), rrjetin më të madh social të Rusisë, por u detyrua të largohej nga vendi në vitin 2014 pasi refuzoi të zbatonte urdhrat e qeverisë për të dorëzuar të dhënat për protestuesit ukrainas.

Që atëherë, Durov ka jetuar në vende të ndryshme, duke u vendosur përfundimisht në Dubai, ku është aktualisht edhe selia e Telegram.

Qëndrimi për privatësinë dhe refuzimi i tij për të censuruar përmbajtjen në Telegram e kanë bërë atë një figurë të diskutueshme. Në një intervistë në fillim të këtij viti me Tucker Carlson, Durov theksoi përkushtimin e tij për ta mbajtur Telegramin “neutral” dhe të lirë nga ndikimi gjeopolitik.

Rreth Telegramit

Telegram është i njohur për enkriptimin e tij nga fundi në fund dhe përkushtimin ndaj privatësisë së përdoruesit. Është bërë një nga aplikacionet më të shkarkuara globalisht, me afro një miliard përdorues. Fokusi i saj te siguria e ka bërë atë një platformë të preferuar për përdoruesit që i japin përparësi privatësisë, por e njëjta veçori e ka bërë atë tërheqëse edhe për organizatat kriminale dhe grupet ekstremiste.

Në vitet e fundit, Telegram është përballur me kritika për lejimin e përhapjes së dezinformatave, përmbajtjeve ekstremiste dhe aktiviteteve të paligjshme, duke përfshirë aktivizmin e ekstremit të djathtë që ka shkaktuar dhunë. Pavarësisht këtyre polemikave, platforma mbetet e njohur, veçanërisht në rajone si Rusia, Ukraina dhe shtete të tjera ish-sovjetike, duke përfshirë zonat e konfliktit, ku shërben si një mjet jetik për komunikim.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com