Më shumë se tek 5 prioritetet kyçe që ka vendosur për shtimin e popullatës, konventa e Partisë së Lirisë u përqendrua tek debati bashkëshortëve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
Kjo e fundit pas nenit të konfliktit të interesit të vendosur në statutin e kësaj force ka vendosur jo pa keqardhje të tërhiqet nga politika dhe t’i përkushtohet mëmësisë.
“E kam thënë dhe vazhdoj ta them, jam një gladiatore me taka. Normal që ndjej keqardhje sepse nuk mund të thuash në 30 vjet të jetës tënde politike të t’i fshijnë me një vendim dhe të të përzënë. Mendoj që ka ardhur koha që prioritetet e Monika Kryemadhit janë Bora, Besi dhe Era”, tha ajo.
Por Ilir Meta edhe pse mohon që neni për konfliktin e interesit të jetë vendosur për Monika Kryemadhin që siç thotë nuk pengohet të jetë në Kryesinë e partisë, disa rreshta më poshtë e krahason këtë “sakrifikim” të bashkëshortes duke zgjedhur partinë me atë që diktatori rus bëri me të birin.
“Rregullat e luftës nuk ndryshojnë as për Stalinin. Pas luftës i thonin këta gjeneralët ah si nuk e shpëtuam Vasilin. Mbylleni gojën ju tha, nuk ju dhimbset juve djali im më shumë se sa unë”, tha Meta.
Në fjalimin e gjatë që mbajti si kandidat për President i Partisë së Lirisë ku si rival ka Faik Bashën, u tregoi anëtarëve të konventës copëza nga histori botërore si shembuj sesi mbahet pushteti.
Por dhe shumë histori personale që nga dhënia e shtetësisë për Janullatosin dhe pronave komunitetit ortodoks deri tek dashuria me shikim të parë me ekipin e Celtic.
Meta pohon se i pëlqen strategjia e Ramës për ta kontrolluar qeverinë dhe partinë përmes rrjeteve sociale, madje kërkoi që kjo të jetë nga sot e tutje strategjia e Partisë së Lirisë.
“Ju mos kujtoni se Edi Rama është budalla se të ishte budalla nuk rrinte 11 vjet në pushtet”, tha Meta.
Ish-presidenti theksoi se riorganizimi i partisë që do ta çojë drejt rikthimit në pushtet do të drejtohet personalisht nga ai në terren.
“Me po, po, jo, jo. Kështu do ribëhet ajo parti. Me llafe, me vepra, me organizim”, tha Meta.