Përplasja me armë mes dy fiseve mbrëmjen e së dielës (1 shtator) regjistroi një viktimë dhe 5 të plagosur.
“Serikaqët dhe Capajt janë grupe të njohura kriminale në Kosovë”, ka deklaruar eksperti i sigurisë së lartë në Kosovë, Bedri Elezi në emisionin “Jetë Shqiptare”.
Elezi u shpreh se grupet kriminale kanë filluar të bëjnë vetëgjyqësi duke rrezikuar sigurinë e përgjithshme publike.
Sipas Elezit, ky cenim i sigurisë publike vjen si pasojë e mosveprimeve të duhura nga institucionet e zbatimit të ligjit.
“U cenua siguria publike. Jemi dëshmitarë edhe të rasteve të tjera. Grupe kriminale kanë nisur të bëjnë vetëgjyqësi dhe qytetarët janë të ekspozuar ndaj një rreziku serioz nga përdorimi i zjarrit nga grupet kriminale. Në rastin konkret janë shkrepur mbi 100 plumba çka do të thotë se kemi rrezikim të përgjithshëm të sigurisë publike.
Mund të themi se në vlerësimin e sigurisë, ngjarja cenon në nivelin më të lartë të sigurisë publike. Është performancë e dobët e institucioneve përgjegjëse.
Kjo është dëshmi se institucionet e zbatimit të ligjit bëjnë veprime të kundraligjshme duke ofruar blerjen e jurisë grupet e personave të kriminalizuar që rrezikojnë edhe qytetarët kalimtarë të rastit.
Cenimi i sigurisë publike vjen nga aktivitetet e grupeve kriminale, mosveprime të duhura të institucioneve të zbatimit të ligjit, të cilat duhet të organizojnë plane operative konkrete për veprime që mund të vijnë nga grupet kriminale, masat që duhet të marrë prokuroria”, u shpreh Elezi.
Eksperti deklaroi gjithashtu se këto dy grupe kriminale të njohura në Kosovë, merren me posedim/shpërndarje të lëndëve narkotike, ushtrim i ndikimit dhe trafik për prostitucion.
“Në Kosovë janë dy grupe kriminale që merren me posedim shpërndarje të lëndëve narkotike, kryerjen e veprave të ndryshme, si ushtrimi i ndikimit apo shantazhi e kërcënimi. Edhe vajzat kanë qenë shpesh objekt i trafikimit.
Kanë qenë dy grupe tashmë të njohura kriminale të cilat kanë pasur dhe çështje të pazgjidhura mes tyre dhe kanë zgjedhur që ballafaqimi i tyre të jetë shkëmbimi i zjarrit me armë të gjata”, u shpreh ai.